SHBA, miratohet dërgimi i trupave shtesë në Lindjen e Mesme

schedule23:45 - 24 Maj, 2019

schedule 23:45 - 24 Maj, 2019

Administrata amerikane ka miratuar dërgimin e disa mijëra trupave shtesë në Lindjen e Mesme për t’i bërë ballë kërcënimeve që vijnë nga Irani. Sekretari i Mbrojtjes, Patrik Shejnahan ka deklaruar se trupat e reja do të kenë mision vetëmbrojtës.

Administrata amerikane, e ndodhur përballë tensioneve në rritje me Iranin, ka vendosur të përforcojë praninë ushtarake në Lindjen e Mesme duke dërguar 1 mijë e 500 njësi më shumë. Vendimi për të dërguar trupa shtesë për Komandën Qendrore, që mbikëqyr operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, u mor mbrëmjen e së enjtes në Shtëpinë e Baradhë, ku presidenti Trump u takua me krerët e Pentagonit. Në prag të takimit, sekretari i Mbrojtjes në detyrë Patrik Shejnahan deklaroi se qëllimi i dërgimit të trupave shtesë do të jetë mbrojtja e interesave amerikane dhe pengimi i palës iraniane që të kalojë caqet në kontestin dypalësh.

“Detyra jonë është mbrojtja, jo lufta. Ne kemi një mision në Lindjen e Mesme: liria e lundrimit, lufta kundër terrorizmit në Siri dhe Irak, mposhtja e Al Kaedës në Jemen dhe siguria e Izraelit dhe Jordanisë”, deklaroi Shejnahan. Vetë presidenti Trump tha se nuk mendonte se dërgimi i trupave ishte i domosdoshëm, por shtoi se, në rast nevoje ato duhet të vihen në lëvizje, cilido qoftë numri i tyre.

Takimi i zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, sipas mediave amerikane, e bindi presidentin që të aprovojë të paktën një rritje modeste të forcave në Lindjen e Mesme dhe të forcojë pozitat ushtarake amerikane në rajon, përballë tensioneve në rritje me Republikën Islamike./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!