SHBA, ministri i Drejtësisë u përgjigjet akuzave të Presidentit Trump

schedule12:54 - 24 Gusht, 2018

schedule 12:54 - 24 Gusht, 2018

Në SHBA vijon përplasja mes ministrit të drejtësisë dhe presidentit Trump. Sessions iu përgjigj akuzave të kreut të Shtëpisë së Bardhë duke thënë se Departamenti i Drejtësisë nuk ndikohet nga mendimet politike. Më herët Trump tha se ai nuk ka në kontroll departamentin e tij.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve Jeff Sessions i është përgjigjur sulmit të fundit të Presidentit amerikan Donald Trump. Ai thotë se departamenti i drejtësisë që drejton nuk do të përkulet ndaj presionit politik. “E mora kontrollin e Departamentit të Drejtësisë ditën kur u betova”, tha zoti Sessions në një deklaratë. “Gjatë kohës që unë do të jem Prokuror i Përgjithshëm, veprimet e Departamentit të Drejtësisë nuk do të ndikohen në mënyrë të papërshtatshme nga gjykimet politike”, shtoi ai.

Përgjigja e dukshme ndaj Trump erdhi pasi presidenti tha se Sessions nuk ishte në kontroll të departamentit të tij. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka qenë i zhurmshëm në kritikat e tij ndaj Departamentit të Drejtësisë. Ai është veçanërisht i shqetësuar nga trajtimi i hetimit të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Sessions, një mbështetës i hershëm i fushatës së Trump, është distancuar nga ai hetim për të shmangur një konflikt të mundshëm interesi dhe kaloi kontrollin tek zëvendësi i tij, Rod Rosenstein. Ky vendim i ministrit të drejtësisë dhe ecuria e vazhdueshme e hetimit nën kujdesin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller – i cili gjithashtu thuhet se po shqyrton nëse Trump është përpjekur të pengojë drejtësinë – kanë shkaktuar shpërthime të shpeshta nga presidenti, qoftë personalisht edhe në Twitter. Presidenti vazhdon të këmbëngulë se nuk ka bashkëpunim ndërmjet fushatës së tij dhe qeverisë ruse, dhe mohon se ai ka tentuar të pengojë drejtësinë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!