SHBA/ Mijëra punonjës hotelesh futen në grevë, kërkojnë paga më të larta

schedule21:52 - 2 Shtator, 2024

schedule 21:52 - 2 Shtator, 2024

Greva e më shumë se 10 mijë punonjësve të 25 hoteleve në Shtetet e Bashkuara, të cilët zgjodhën ‘Ditës së Punës’ për të vënë theksin tek kërkesat e tyre, vazhdoi edhe të hënën.

Ata kërkojnë paga më të larta, volum më të drejtë pune dhe që numri i punonjësve në një hotel të kthehet siç ishte para shkurtimeve për shkak të pandemisë COVID-19.

Sindikata ‘Bashkohuni këtu’, e cila përfaqëson pastruesit që janë futur në grevë dhe pjesën tjetër të personelit të hoteleve, tha se 200 punonjësit e ‘Hilton Baltimore Inner Harbor’ janë më të fundit që iu bashkuan grevës.

Gati gjysma e punonjësve që u futën në grevë, ose rreth 5 mijë, janë në Honolulu të Hauait. Në grevë janë edhe mijëra punonjës hotelesh në Boston, San Francisco, Siatëll dhe dy qytetet e Kalifornisë, San Diego dhe San Jose. Greva, që ka në qendër të pakënaqësive hotelet Marriot, Hilton dhe Hyatt është planifikuar të zgjasë nga 1 deri në 3 ditë.

Sindikata “Bashkohuni këtu” tha se një total prej 15 mijë punonjësish votuan në mbështetje të grevës, e cila së shpejti mund të përhapet edhe në qytete të tjera si në Nju Heven të Kënektikatit; Oakland të Kalifornisë dhe Providence të Rode Ajllëndit.

Presidentja e kësaj sindikate, Gwen Mills tha se greva është pjesë e një beteje të gjatë për të siguruar paga të qëndrueshme për punonjësit, në një nivel të njëjtë me industritë që tradicionalisht dominohen nga burrat.

“Puna në hotelieri në përgjithësi është e nënvlerësuar dhe nuk është një rastësi që kjo punë bëhet kryesisht nga gratë dhe personat me ngjyrë”, tha zonja Mills.

Ekipi i pastruesve në hotele kërkon rikthimin e praktikës së pastrimit të përditshëm të dhomave në rrjetet kryesore të hoteleve. Ata ankohen se janë të mbingarkuar me shumë punë, ose se u kërkohet të punojnë pak orë dhe se kjo ndikon në pagën që marrin. Shumë hotele kanë kufizuar shërbimet gjatë pandemisë së koronavirusit dhe ende nuk i kanë rikthyer ato.

Por hotelet thonë se klientët nuk po kërkojnë pastrimin e përditshëm të dhomave dhe shërbime të tjera.

Udhëheqësi i zyres së çështjeve të punëtorëve në zinxhirin e hoteleve Hyatt, Michael D’Angelo, tha në një deklaratë të hënën se rrjeti i tyre ka një plan për të minimizuar ndikimin e grevave në operacionet e hotelit.

“Jemi të zhgënjyer me sindikatën ‘Bashkohuni këtu’ që zgjodhën grevën, ndërsa Hyatt mbetet i gatshëm të negociojë”, tha zoti D’Angelo. “Ne presim që të vazhdojmë të negociojmë kontrata të drejta dhe të vlerësojmë konbrituton e punonjësve të Hyatt-it”.

Agjencia e lajmeve Associated Press dërgoi të hënën kërkesa për komente edhe tek hotelet Marriott dhe Hilton./VOA