Qindra njerëz kanë vizituar një qytet të vogël në Misuri, SHBA, duke dashur të shohin me sytë e tyre trupin e një murgeshë e cila “mezi është dekompozuar” që nga viti 2019.
Trupi i motrës Ulelmina Lancaster u zhvarros prillin e kaluar dhe gjendja në të cilën u gjet trupi i saj ka ngjallur debate të ndezura, disa argumentojnë se mungesa e dekompozimit është një “shenjë e shenjtërimit”.
Të tjerë ende konsiderojnë se ky është një fenomen jo aq i rrallë, i cili mund të shpjegohet në bazë të logjikës.
Motra ishte themeluese e Urdhrit Benediktin të Marisë Mbretëresha e Apostujve në Gower, Misuri. Trupi u zhvarros në mënyrë që të rivarroset në një kishëz. Murgesha ndërroi jetë katër vite më parë dhe u varros në një arkivol të thjeshtë prej druri, pa iu nënshtruar procesit të balsamimit.
Kështu, kur u hap varri, trupi i saj dukej pothuajse i paprekur, madje edhe kasoja e saj ishte në gjendje shumë të mirë.
Rebecca George, një profesore në Universitetin e Karolinës Perëndimore në Karolinën e Veriut, tha se mungesa e kalbjes mund të mos jetë aq e rrallë sa mendojnë disa.
“Zakonisht kur i varrosim njerëzit, nuk i zhvarrosim, kështu që nuk mund të shohim se çfarë ndodh pas disa vitesh. Pas 100 vitesh mund të mos ketë mbetur asgjë, por kur ka vetëm disa vite më vonë, kjo nuk është e papritur,” tha ajo. /abcnews.al