Donald Trump njihet për marrëdhënien e vështirë me mediat, të cilat nuk ngurron t’i quajë armike të popullit. Por duket se tendencën e tij presidenti amerikan ua ka kaluar edhe mbështetësve, të cilët kanë sulmuar ekipet e mediave gjatë një mitingu të mbajtur në Teksas.
Një mbështetës i presidentit Donald Trump, gjatë një mitingu të mbajtur nga kreu i shtetit në El Paso të Teksasit ka sulmuar ekipet e mediave që po ndiqnin eventin. Me kapelen që mban logon e parullës “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”, agresori shtyu dhe ofendoi përfaqësuesit e mediave, në veçanti kameramanin e BBC Ron Skins, përpara se të ndalohej nga agjentët e sigurisë.
Kameramani britanik ka deklaruar se shtyrja fizike kishte qenë shumë e fortë, edhe për faktin se ai nuk e kishte parë agresorin të afrohej. “Nuk po merrja vesh çfarë po ndodhte”, ka treguar Skins.
Presidenti Trump e pa sulmin dhe pak më vonë konfirmoi se kameramani i BBC ishte në gjendje të mirë duke ngritur lartë gishtin e madh. Ai e vazhdoi fjalimin e tij pasi Skins ia ktheu gjestin. Pas incidentit, rrjeti informativ britanik i ka shkruar zyrës së shtypit në Shtëpinë e Bardhë, duke i kërkuar një rishikim të kritereve të sigurisë për mediat që ndjekin mitingjet e presidentit. Ky i fundit njihet për marrëdhënien e tij të vështirë me mediat, që nga marrja zyrtarisht e detyrës.
Trump i ka cilësuar gazetarët si “armiq të popullit” dhe ka etiketuar me termin “fake neës” lajmet që atij nuk i shkojnë për shtat. Duke reaguar ndaj incidentit, një zyrtar i fushatës së presidentit Trump ka deklaruar se, agresori kishte qenë i dehur dhe nuk kishte patur qëllime tendencioze ndaj medias./abcnews.al