“SHBA mbështet punën e SPAK”/ Kasanof: Çmimi për Dumanin, edhe për Shqipërinë. Guxim për të ngritur një institucion nga hiçi

schedule10:17 - 19 Dhjetor, 2024

schedule 10:17 - 19 Dhjetor, 2024

Zëvendës ndihmës sekretari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof thotë se SHBA mbështet punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në luftën për goditjen e pandëshkueshmërisë në nivele të larta të politikës.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin për 5-vjetorin e SPAK, Kasanof u shpreh se çmimi që sekretari amerikan Antony Blinken i dha kreut të SPAK, Altin Dumani, ishte edhe për Shqipërinë.

Kasanof shtoi se u desh guxim i madh për të nisur këtë rrugëtim dhe për të ndërtuar një institucion nga hiçi.

“Faleminderit për mundësinë që t’iu bashkohem. Është nder dhe privilegj. Së pari, urime kryeprokurorit Dumani për shpalljen kampion i antikorrpusionit nga sekretari Blinken. Ishte ditë e madhe për Shqipërinë. Ky çmim nuk është vetëm për Dumanin, por për SPAK dhe Shqipërinë. Blinken vlerësoi punën e SPAK. Është moment emocionues, ju përgëzojmë nga Uashingtoni. U desh guxim i jashtëzakonshëm për të nisur këtë rrugëtim. Guxim për të ndërtuar një institucion nga hiçi, për të luftuar shumë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!