SHBA mbështet integrimin Euroatlantik të Ballkanit Perëndimor

schedule22:20 - 30 Nëntor, 2017

schedule 22:20 - 30 Nëntor, 2017

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen për integrimin Euroatlantik të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas zyrtarëve, Uashingtoni do të shtojë financimet në këtë rajon për të ulur ndikimin e Rusisë.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee duke folur në Këshillin e Atlantikut, një forum për çështjet ndërkombëtare që zhvillohet në Uashington, shtroi nevojën e një bashkëpunimi më të mirë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në punën për të ndihmuar vendet e Ballkanit të realizojnë reformat e nevojshme. Zëri i Amerikës raporton se ai radhiti si përparësi luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve.

Hoyt Brian Yee, zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit: “Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është se ka disa sfida të rëndësishme që duhet të përballohen me urgjencë. Këto janë probleme që nuk do të përmirësohen me kalimin e kohës. Ato duhet të zgjidhen në mënyrë serioze. Korrupsioni, klientelizmi, qeverisja e dobët, institucionet e dobëta. Në se nuk i bëjmë këto, do të vazhdojë të ketë paqëndrueshmëri”.

Yee, tërhoqi vëmendjen për rritjen e përgjegjshmërisë së qeverive të Ballkanit ndaj ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë për të patur rezultate në zbatimin e reformave. Ndërsa senatorja demokrate Jeanne Shaheen tha se vetë vendet e Ballkanit mund ta çojnë rajonin përpara. Ajo foli edhe për ndikimin rus në Ballkan.

Jeanne Shaheen, senatore demokrate në SHBA: “Pas sulmit të Kremlinit në zgjedhjet tona demokratike, mbështjetja dypartiake për Ballkanin dhe integrimin në Bashkimin Evropian nuk ka qenë kurrë më e fuqishme. Ne po shtojmë financimet për t’u kundërpërgjigjur ndikimit keqdashës të Rusisë në Ballkan, ne po mbështesin shkëmbimet mes të rinjve dhe po shtojmë më shumë mundësi biznesi mes Shteteve të Bashkuara dhe rajonit”.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha për Zërin e Amerikës se angazhimi amerikan është i mirëpritur për të vazhduar reformat e nevojshme që do të sillnin anëtarësimin e vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike. Kurse zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli propozoi krijimin e një zone të tregëtisë së lirë në veri të Mitrovicës që do të ndihmonte në uljen e tensioneve politike. Ndërkohë, ministrat e jashtëm të shtatë vendeve të Ballkanit Perendimor u takuan të enjten me këshilltarin e sigurisë kombëtare, H.R Macmaster dhe zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit./abcnews.al