SHBA, linjat ajrore anulojnë qindra fluturime mes sezonit të festave

schedule16:46 - 26 Dhjetor, 2021

schedule 16:46 - 26 Dhjetor, 2021

Në Shtetet e Bashkuara, linjat ajrore anulluan qindra fluturime për shkak të problemeve të stafit me COVID-19, duke krijuar kështu vështirësi për udhëtarët në sezonin e festave. Mbi 250 fluturime janë anulluar për ditën e sotshme. Për udhëtarët kjo do të thotë se do të qëndrojnë larg njerëzve të tyre të dashur, ndërsa përjetojnë kaosin në aeroporte dhe stresin e kalimit të disa orëve në radhë të gjata, apo në telefon, për të prenotuar bileta të reja.

Sipas të dhënave të kompanisë FlightAware, linjat ajrore anulluan mbi 6 mijë fluturime nga dita e premte. Këtu përfshihen rreth një e treta e fluturimeve ajrore në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa amerikanët kanë filluar të kthehen në shtëpi nga festat, disa hasën në vështirësi ndërsa udhëtonin në Ditën e Krishtlindjes.

“Ne prenotuam bileta të reja me vështirësi”, thonë dy udhëtarë për në shtetin Miçigan.

Kompanitë ajrore United, Delta, Jet Blue dhe American, anulluan qindra fluturime, për shkak të mungesave në personel, një rritjeje të infektimeve me variantin Omicron, si dhe për shkak të motit.

“Nuk ke çfarë t’i bësh. Janë gjëra jashtë kontrollit tonë. Kështu që marrim frymë thellë dhe përpiqemi të gjejmë një alternativë më të mirë”, thotë udhëtari Rick Grant.

Pati probleme edhe në rrugë. Në shtetin Minnesota u mbyll një autostradë pas përplasjes së dhjetëra makinave. Në Kaliforni, ekipet e emergjencave u munduan të heqin dherat dhe baltën e nxjerrë nga lumi El Dorado.

“Në këtë moment është mirë të shtyni udhëtimin derisa të kemi ekzaminuar më mirë të gjitha rrugët”, thotë Emily Liennen, nga Departamenti i Transportit në Kaliforni.

Autoriteti i Sigurisë së Transporteve vlerëson se deri më 3 janar do të kenë udhëtuar rreth 30 milionë amerikanë./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!