Agjencitë amerikane të spiunimit kanë vërejtur shenja që një kohë se Yevgeny Prigozhin, shefi i grupit mercenar rus Wagner, ka pasur synim të dalë kundër urdhëheqësisë ruse kah mesi i muajit qershor, ka raportuar e përditshmja amerikane Washington Post.
Gazeta tjetër amerikane New York Times, ka thënë se informacioni ka qenë edhe solid, por edhe alarmues. Në orët e vona të së premtes, forcat e Prigozhinit janë larguar prej kampeve të tyre në Ukrainë dhe kanë hyrë në Rusi, duke e marrë kontrollin e qytetin jugor Rostov-on-Don, dhe më pas janë nisur drejt Moskës.
Papritur, avancimi është pezulluar në pasditen e së shtunës, dhe mediat ruse kanë thënë se trupat e Wagnerit do të kthehen në Ukrainë, ndërsa Prigozhin do të ikë në shtetin fqinj, Bjellorusi.
Agjencitë amerikane besojnë se presidenti rus, Vladimir Putin është informuar të paktën një ditë më parë se Prigozhini – dikur aleat i tij i ngushtë – ka qenë duke organizuar rebelimin/REL