SHBA: Kina duhet të jetë e sinqertë për origjinën e Covid-19

schedule07:11 - 28 Shkurt, 2023

schedule 07:11 - 28 Shkurt, 2023

Ambasadori amerikan në Kinë tha se Pekini duhet të jetë më i drejtpërdrejtë për origjinën e pandemisë COVID-19, një ditë pas njoftimeve se Departamenti amerikan i Energjisë konkludoi se pandemia ka gjasa të ketë filluar nga një rrjedhje nga një laborator kinez.

Nicholas Burns tha gjatë një aktiviteti të Dhomës Amerikane të Tregtisë të hënën se Kina duhet të “jetë më e sinqertë për atë çfarë ndodhi tre vjet më parë në Wuhan me origjinën e krizës së COVID-19ës”. Wuhani është qyteti kinez ku u njoftuan rastet e para të koronavirusit të ri në dhjetor 2019.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi mediat amerikane njoftuan se Departamenti i Energjisë konkludoi se pandemia ka gjasa të ketë lindur nga një rrjedhje në një laborator në Wuhan.

Konkluzioni u paraqit në një raport të klasifikuar të zbulimit që departamenti ja dërgoi Shtëpisë së Bardhë dhe anëtarëve kryesorë të Kongresit, njoftoi gazeta The Wall Street Journal, duke cituar personat që e lexuan këtë raport.

Gazeta tha se agjencia e zbulimit e Departamentit të Energjisë është tashmë agjencia e dytë e zbulimit amerikan, pas FBI-së, që konkludon se rrjedhja nga laboratori kinez ishte shkaku i mundshëm i pandemisë, megjithëse agjencitë amerikane të zbulimit vazhdojnë të jenë të ndara për sa i përket origjinës së virusit.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby i bëri jehonë kësaj ndjesie. “Nuk ka patur një përfundim dhe konsensus përfundimtar në qeverinë amerikane për origjinën e pandemisë COVID-19”, u tha zoti Kirby gazetarëve të hënën kur u pyet për njoftimin e gazetës.

Vlerësimi i Departamentit të Energjisë u bë me “besueshmëri të ulët”, ndërsa konkluzioni i FBI-së u përcaktua me “besueshmëri të moderuar”, sipas gazetës. Katër agjenci të tjera amerikane thuhet se kanë përcaktuar me “besueshmëri të ulët” se virusi është transmetuar natyrshëm nga kafshët, ndërsa dy agjenci të tjera mbeten të pavendosura.

Raportet rikthejnë vëmendjen kombëtare tek pikëpyetja se çfarë e shkaktoi pandeminë COVID-19.

Konkluzioni i Departamentit të Energjisë shënon një ndryshim nga pozicioni i tij i mëparshëm se ishte i pavendosur për mënyrën se si filloi virusi. Zyrtarët amerikanë nuk zbuluan se çfarë të dhëna të reja zbulimi sollën këtë ndryshim. Analiza e Departamentit të Energjisë erdhi nga rrjeti i tij i laboratorëve kombëtarë, duke i dhënë asaj një perspektivë të ndryshme nga vlerësimet më tradicionale të zbulimit.

Të dielën, këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan i tha kanalit CNN se “ekziston një shumëllojshmëri pikëpamjesh në komunitetin e zbulimit”.

“Disa elementë të komunitetit të zbulimit kanë arritur në përfundime nga njëra anë, disa nga ana tjetër”, tha ai.

Shkencëtarët gjithashtu kanë qenë të ndarë për këtë çështje, me disa prej tyre që tregojnë tregun e kafshëve të gjalla në Wuhan si vendin më të mundshëm të shfaqjes së virusit, duke vënë në dukje se transmetimi nga kafsha te njeriu ka qenë rruga për shumë patogjenë të panjohur më parë. Shkencëtarë të tjerë, megjithatë, i kanë dhënë kredibilitet teorisë së rrjedhjes nga laboratori, duke vënë në dukje se nuk është gjetur asnjë burim kafshësh dhe se Wuhani është një vend kryesor i punës kërkimore për koronavirusin.
Pyetja se si filloi virusi, ka thelluar gjithashtu ndasitë politike në Shtetet e Bashkuara, me republikanët që me shumë gjasa do të mbështesin hipotezën e rrjedhjes nga laboratori.

Senatori republikan Tom Cotton ishte një nga politikanët e parë të profilit të lartë që shprehu teorinë se virusi e kishte origjinën në një mjedis laboratorik, duke komentuar në shkurt 2020, kur pikëpamja mbizotëruese ishte se virusi ishte transmetuar nga lakuriqët e natës dhe ishte përhapur në një treg ushqimi në Wuhan.

Pasi një numër në rritje shkencëtarësh kërkuan që të dyja hipotezat të konsideroheshin seriozisht, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden urdhëroi një rishikim të të dhënave të zbulimit për origjinën e COVID-19 në maj 2021.

Një vlerësim i deklasifikuar i zbulimit në tetor 2021 deklaroi se të dyja hipotezat ishin të besueshme, por se agjencitë e zbulimit mbetën të ndara se cila teori ishte e saktë. Raporti thoshte se kishte konsensus mes agjencive të zbulimit se pandemia nuk ishte rezultat i një programi kinez të armëve biologjike.

Kina ka mohuar në mënyrë të përsëritur se një rrjedhje laboratorike ka ndodhur në Wuhan. Ajo ka vendosur kufizime ndaj hetimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të përcaktuar origjinën e virusit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!