SHBA, kërcënime ndaj ish presidentit Obama dhe Hillary Clinton

schedule16:13 - 24 Tetor, 2018

schedule 16:13 - 24 Tetor, 2018

Shërbimet sekrete amerikane neutralizuan disa pako të dyshimta të dërguara në adresë të ish-presidentit Obama dhe ish-sekretares së Shtetit Hillari Klinton. Mediat amerikane aludojnë për një mesazh dërguar dy figurave kyçe të demokratëve në prag të zgjedhjeve per Kongresin. Po ashtu, një pako e dyshimtë iu dërgua edhe selisë së CNN në Nju Jork.

Autoritetet amerikane bllokuan disa pako të dyshimta të dërguara në adresë të ish-presidentit demokrat Barack Obama dhe ish-sekretares së Shtetit, Hillary Clinton. Mediat amerikane, që bëjnë të ditur lajmin, vënë në dukje se incidenti që përfshin dy prej figurave kyçe të demokratëve ndodh kur mungojnë më pak se dy javë nga zgjedhjet për Kongresin, të cilat mund të sjellin një dobësim të pozitës së republikanëve. Sipas burimeve mediatike, pakoja e dyshimtë në shtëpinë e familjes Clinton u gjet në orët e vona të së martës, ndërsa ajo dërguar Obamave u gjet mëngjesin e së mërkurës, por në të dyja rastet lajmi u mbajt sekret. Ndërkohë, të enjten një tjetër pako e dyshimtë u gjet në godinën Tajm Uarner në Nju Jork, ku ndodhet edhe selia e transmetuesit televiziv CNN. Godina u evakuua dhe pas një kontrolli të imtësishëm, specialistët e policisë nju-jorkeze deklaruan se pakoja përmbante një pajisje shpërthyese.

Ndërkohë, lajmi se një pako e ngjashme ishte dërguar edhe në Shtëpinë e Bardhë rezultoi i rremë. Pakot dërguar familjeve Clinton dhe Obama u zbuluan gjatë kontrollit rutinë të postës nga agjentët e shërbimeve sekrete, të cilët më vonë deklaruan se dy ish-krerërt e shtetit nuk kishin qenë në asnjë moment në rrezik. “New York Times” raporton se pakoja e gjetur në periferinë nju-jorkeze Çapakua, ku jeton familja Clinton, përmbante një pajisje eksplozivi. Sidoqoftë, të treja pakot janë marrë nën kontroll nga agjentët e FBI-së, të cilët po hetojnë ngjarjet. Zbulimi i tyre vjen pak ditë pasi një bombë e vogël u gjet në shtëpinë e miliarderit George Soros, në periferinë Katonah të Nju Jorkut, rreth 10 milje larg nga shtëpia e Clintonëve. Përmes një deklarate për shtyp, Shtëpia e Bardhë dënoi ngjarjet, të cilat i quajti “akte terrori” dhe premtoi ndëshkimin e përgjegjësve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!