SHBA, kandidati demokrat për president Sanders ndërpret fushatën

schedule21:06 - 2 Tetor, 2019

schedule 21:06 - 2 Tetor, 2019

Kandidati për president Berni Sanders është detyruar të ndërpresë fushatën elektorale, për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjike.

Sipas mediave amerikane, pas operacionit Sanders është në gjendje të mirë, por nuk dihet nëse do të jetë gati për debatin e radhës mes kandidatëve demokratë.

Kandidati demokrat për president Berni Sanders ka anuluar eventet e fushatës së tij elektorale për shkak se i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike.

Zoti Sanders u shtrua në spital për një bllokim në arterieje, pasi kishte përjetuar dhimbje gjoksi gjatë një takimi elektoral të mbajtur në Nevada ditën e martë.

Një këshilltar i senatorit të Vermontit deklaroi se pas operacionit ai është në gjendje të mirë, por do të pushojë në ditët në vazhdim.

Sanders, 78 vjeç, kishte njoftuar më herët se fushata e tij kishte arritur të mblidhte mbi 25 milionë dollarë fonde.

Kandidatit që synon të sfidojë Trump në vitin 2020, pas zhbllokimit të arteries i janë vendosur atje dy tuba prej rrjete, që shërbejnë për ta mbajtur arterien të hapur.

Bëhet fjalë për një procedurë të thjeshtë që kërkon një kohë të shkurtër për t’u rimëkëmbur.

Sidoqoftë, është ende e paqartë për sa kohë Sanders do të qëndrojë në regjim shtrati, në një kohë kur debati i radhës mes kandidatëve demokratë do të mbahet më 15 tetor.

Sondazhet tregojnë se ai është i treti në garën për nominimet e demokratëve, pas senatores së Masaçusets, Elizabeth Uorren dhe ish-zëvendës presidentit Xho Bajden.

Të gjithë kandidatët i kanë uruar atij shërim të shpejtë./ABC News Albania 24/7

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!