E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, tha se Uashingtoni është i zhgënjyer me qëndrimet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, të cilat, sipas saj, po rrisin “paqëndrueshmërinë në Kosovë”.
“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, tha diplomatja amerikane në një përgjigje për Kohën.
Ajo paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara janë duke e shqyrtuar përgjigjen e tyre, “por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, tha Prattipati.
Së voni, Kurti, që njëherësh është edhe udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vonesa në vendimeve gjatë mandatit të tij si dhe e akuzuar gjykatën më të lartë të shtetit për njëanshmëri, duke thënë se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

