Nga Hal Brand “Bloomberg”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Përplasja aktuale midis Rusisë dhe Perëndimit, është shumë çoroditëse për shumë kritikë të politikës së jashtme amerikane. Ata pyesin:Pse SHBA-ja nuk pranon disa nga kërkesat e presidentit rus Vladimir Putin? Pra të pranojë që Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO, por edhe një sferë ruse të ndikimit rus në hapësirën e ish-Bashkimin Sovjetik?
Por përgjigja është shumë më e rrënjosur në historinë e Amerikës, sesa mund ta kuptojnë shumë analistë. Për mirë a keq, politika e SHBA-së është karakterizuar prej kohësh nga kundërshtimi ndaj sferave armiqësore të ndikimit. Kjo qasje e pati kulmin e suksesit të saj gjatë epokës së pas Luftës së Ftohtë, por po testohet seriozisht edhe sot.
Në pjesën më të madhe të historisë së regjistruar, sferat e ndikimit kanë qenë një pjesë normale e çështjeve globale. Fuqitë e mëdha, përpiqen zakonisht që të krijojnë zona ku ata kanë disa privilegje të veçanta, si një mënyrë për të kontrolluar ngjarjet pranë kufijve të tyre, si dhe për të mbajtur larg kërcënimet.
Amerika nuk bën përjashtim. Në rrugëtimin e saj drejt statusit të një superfuqie botërore, ajo i dëboi gradualisht fuqitë evropiane nga Karaibet dhe Amerika Latine. “Shtetet e Bashkuara janë praktikisht sovrane në këtë kontinent, dhe ato vendosin mbi subjektet në të cilat kufizohet ndërhyrja”- deklaroi në vitin 1895 Sekretari amerikan i Shtetit Richard Olney.
Por SHBA-ja kishte një qëndrim të ndryshëm ndaj sferave të ndikimit të vendeve të tjera. Gjatë viteve 1800 dhe në fillimin e viteve 1900, zyrtarët amerikanë synuan të parandalonin copëtimin dhe ndarjen e Kinës midis fuqive të tjera të mëdha.
Në Luftën e Parë Botërore, Uashingtoni luftoi për ta penguar Gjermaninë Perandorake të dominonte territoret, që shtriheshin nga Evropa Lindore deri në Kanalin Anglez. Ndërkohë në Luftën e Dytë Botërore, SHBA-ja luftoi për të parandaluar Gjermaninë naziste dhe Japoninë Perandorake që të vendosnin territore të tjera nën kontrollin e tyre.
Edhe gjatë Luftës së Ftohtë, Amerika e sfidoi bllokun sovjetik në Evropën Lindore. Edhe pse përdorimi i forcës ishte jashtë diskutimit, Uashingtoni përdori operacionet e fshehta, luftën informative dhe mjete të tjera për të minuar pozitat e Moskës.
Kjo armiqësi ndaj sferave të ndikimit, buronte nga disa prej tipareve më të spikatura diplomatike të Amerikës. Dëshira për tregje dhe burime në vendet e huaja, i bëri amerikanët t’i frikësoheshin pasojave ekonomike të një bote të ndarë. Interesi për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nuk e nxiti gjithnjë SHBA-në të sillej me fisnikëri në zonën përreth saj, por i bëri amerikanët të mos e tolerojnë kontrollin autoritar të rajoneve të tjera.
Nga pikëpamja strategjike, politikë-bërësit amerikanë shqetësoheshin se rivalët e fuqishëm të SHBA-së, do t’i përdornin sferat rajonale të ndikimit si trampolina drejt agresionit të tyre në nivel global. Ndërkohë, ndjenja e jashtëzakonshmërisë së Amerikës – bindja e saj se SHBA-ja e përdor pushtetin më mirë se sa shtetet e tjera – lehtësoi çdo ndjenjë faji mbi hipokrizinë e dukshme të mohimit ndaj të tjerëve të asaj që Amerika e pretendonte për vete.
Projekti i Amerikës kundër sferave të ndikimit, e arriti kulmin pas Luftës së Ftohtë. Blloku sovjetik nuk ekzistonte më. Uashingtoni kishte avantazhe aq të mëdha ekonomike dhe ushtarake, së bashku me një rrjet global aleancash, saqë mund të pengonte edhe vendet e mëdha nga shtrirja e ndikimit të tyre mbi vendet fqinje.
Si për ta vërtetuar këtë gjë, Pentagoni dërgoi në vitin 1996 dy aeroplanmbajtëse, për ta penguar Kinën të kërcënonte Tajvanin. Ndërkohë për t’u mbrojtur kundër krijimit të një perandorie ruse të rigjallëruar, SHBA-ja e zgjeroi NATO-n në Evropën Lindore.
Vetë Joe Biden, në atë kohë nënpresident i Barack Obamës, deklaroi në vitin 2009 se “ne nuk do të njohim sferën e ndikimit të asnjë vendi”. Biden sigurisht që ka të drejtë kur thotë se SHBA-ja përfiton nga një botë pa sfera ndikimi. Dhe mbi këtë gjë duket se bie dakord pjesa më e madhe e botës.
Është i jashtëzakonshëm fakti që kaq shumë vende, nga aleatët e SHBA-së në Paqësor dhe deri tek shtetet baltike dhe të tjera në Evropë, janë të gatshme që ta nxisin shtirjen e ndikimit të Amerikës për të shmangur presionin nga ana e rivalëve që kanë më pranë tyre.
Kjo histori na ndihmon në shpjegimin se pse SHBA nuk është e gatshme t’ia mbyllë Ukrainës derën e NATO-s, dhe t’i garantojë Moskës fuqinë e vetos mbi zgjedhjet gjeopolitike që bëjnë fqinjët e saj. Kjo do të përfaqësonte një rikthim në botën më të errët dhe më të rrezikshme, të cilët zyrtarët amerikanë kanë punuar prej kohësh që ta kapërcejnë.
Megjithatë, ajo që dukej e relativisht e lehtë në kulmin e dominimit të Amerikës pas Luftës së Ftohtë, sot duket shumë më e vështirë. Rusia e Vladimir Putin i ka ri-zhvilluar aftësitë e saj ushtarake për të nënshtruar Ukrainën dhe shtetet e tjera të paangazhuara në kufijtë e saj.
Gjatë 15 viteve të fundit, Putin është përpjekur që të rikthejë primatin rajonal të Rusisë, madje edhe duke pushtuar vende si Gjeorgjia, që i rezistuan ndikimit të saj. Sot sundimtari rus, po kërcënon në thelb që ta shkatërrojë Ukrainën, në vend se ta lejojë atë të ndërtojë vetë fatin e saj gjeopolitik.
Nga ana tjetër, SHBA-ja ka premtuar se do t’i imponojë Putinit kosto të mëdha ekonomike dhe diplomatike, nëse ai do e zbatojë këtë kërcënim, ndoshta duke mos penguar fizikisht
një pushtim të Ukrainës, por duke e bërë atë të padobishëm dhe të papërsëritshëm.
Siç e theksova edhe javën e kaluar, kjo përpjekje ka të ngjarë të çojë në një përplasje të tensionuar dhe të zgjatur midis Uashingtonit dhe Moskës, duke nxitur presionin e vazhdueshëm dhe potencialin për përshkallëzimin e situatës në Evropën Lindore dhe më gjerë.
Vendosmëria e Amerikës për t’i mohuar Rusisë një sferë autokratike të ndikimi sot, po përballet kokë më kokë me vendosmërinë e Putinit për të krijuar një të tillë. Kjo do të thotë se do të rriten kostot dhe rreziqet, që lidhen me këtë aspekt të politikës amerikane. /abcnews.al