Presidenti amerikan, Donald Trump, e vlerësoi si “të shkëlqyer” marrëdhënien me Kinën, duke thënë se dy superfuqitë arritën një marrëveshje pas dy ditësh bisedimesh që synonin ruajtjen e një armëpushimi në luftën tregtare mes tyre.
Trump shkroi në platformën e tij, Truth Social, se Kina do të furnizojë SHBA-në me minerale të rralla të tokës dhe magnetë – elemente të rëndësishme për industrinë amerikane – ndërsa Uashingtoni do t’u lejojë studentëve kinezë të vazhdojnë studimet në universitetet amerikane.
Postimi i tij erdhi pasi kryenegociatorët e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës njoftuan të martën vonë për një marrëveshje kornizë, pas dy ditësh bisedimesh maratonë në Londër.
“Marrëveshja jonë me Kinën është arritur”, shkroi Trump, duke shtuar se marrëveshja ende është “në pritje të miratimit përfundimtar nga presidenti [i Kinës] Xi Jinping dhe unë”.
“Në bashkëpunim të ngushtë, presidenti Xi dhe unë do të punojmë për të hapur tregun kinez për tregtinë amerikane”, tha ai në një postim tjetër.
Pas negociatave që zgjatën më shumë se 20 orë, sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, tha të mërkurën se bisedimet ishin “në rrugën e duhur”.
“Ata do të miratojnë menjëherë të gjitha aplikimet për magnetë nga kompanitë amerikane”, tha ai për CNBC, duke iu referuar asaj që pritet të ndodhë pasi Trump dhe Xi t’i japin dritën jeshile marrëveshjes.
Ai shtoi se Uashingtoni do t’i heqë masat e veta sapo Kina të veprojë, duke theksuar se nivelet aktuale të tarifave amerikane ndaj Kinës nuk do të ndryshojnë.