Shtetet e Bashkuara kanë nisur ndërmjetësimin e bisedimeve treditore të paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Kjo është një përpjekje e re për të zgjidhur konfliktin që shpërthen vazhdimisht mes këtyre dy shteteve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka nisur ndërmjetësimin e bisedimeve me këshilltarët e ministrive të Jashtme në Uashington.
Kjo është hera e dytë që mbahen bisedime pas disa muajsh, shkruan REL.
“Ne vazhdojmë të besojmë se paqja mund të arrihet dhe dialogu i drejtpërdrejt është kyç për zgjidhjen e çështjeve të mbetura dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, para nisjes së bisedimeve. Ai tha se në këto bisedime do të diskutohen edhe çështje “shumë të ndjeshme”.
Rusia historikisht ka qenë ndërmjetësuese e bisedimeve mes dy ish-republikave sovjetike, por SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë qenë mjaft aktivë në kohën kur Moska po vazhdon pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.