Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) konfirmoi të mërkurën vonë se Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës raketa me rreze të gjata veprimi, të njohura si ATACMS, për përdorim brenda vendit.
Raketat mbërritën në Ukrainë gjatë këtij muaji, sipas DASH-it.
Zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel, tha për gazetarët se këto raketa u dërguan me vendim të presidentit amerikan, Joe Biden.
Ky konfirmim vjen pas lajmeve në mediat amerikane se ato raketa ishin përdorur javën e kaluar për ta bombarduar një fushë ajrore ushtarake të Rusisë në Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi jashtëligjshëm më 2014, si dhe forcat ruse në një pjesë tjetër të uzurpuar të vendit gjatë natës.
ATACMS mund ta godasin cakun në largësi të mëdha – deri në 300 kilometra larg – krahasuar me raketat me rreze veprimi prej 165 kilometrash që SHBA-ja ia dha Ukrainës në tetor. Ato ishin pjesë e një pakete me ndihmë për Ukrainën më mars, jo pjesë e paketës që Kongresi e aprovoi dhe presidenti Biden e nënshkroi më 24 prill.