Nga Massimo Gaggi “Corriere Della Sera”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Shumë elementë tregojnë se Donald Trump, u përpoq të përmbyste me forcë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. E megjithatë shumica e republikanëve vazhdojnë të mendojnë se Joe Biden është një president i paligjshëm.
Ndërkohë Gjykata e Lartë, e formuar nga Trump sipas imazhit dhe mendësisë së tij, ka anuluar një të drejtë kushtetuese, që e kishte njohur vetë më parë. Për këto arsye, SHBA-ja nuk kishte shumë arsye për të festuar më 4 korrik, Ditën e saj të Pavarësisë, raporton abcnews.al
“Është e vërtetë, që ne jemi aktualisht në një situatë e vështirë, por jo të pashpresë”-thotë David Frum, një konservator i moderuar, që pasi ka qenë në Shtëpinë e Bardhë si këshilltar dhe shkrimtar i fjalimeve të George Bush, është bërë një kritik i ashpër i degjenerimit të Trumpizmit.
“Ti konsiderosh problemet si më serioze nga sa janë në realitet, nuk ndihmon aspak. Natyrisht, ne duhet të mësohemi për dekada më radhë me një Gjykatë të Lartë më konservatore se sa populli amerikan. Ndërkohë ka shumë njerëz në të djathtë, që po përpiqen t’i ndryshojnë rregullat elektorale në favor të konservatorëve. Por sot duhet të përqendrohemi tek faktori Trump:ai është problemi kryesor për demokracinë amerikane”.
Le ta nisim me intervistën me vendimin e Gjykatës së Lartë. Në një artikull të ditëve të fundit, ju e krahasoni ndalimin e abortit me periudhën e Prohibicionizmit në SHBA, që nisi në vitin 1919, me ndalimin e prodhimit dhe shitjes së alkoolit. Në pak vite, Amerika e kuptoi se ai hap ishte i gabuar dhe u tërhoq. A mund të ndodhë sërish kjo në një vend kaq shumë të polarizuar?
Sondazhet tregojnë se Amerika do të donte sisteme të ngjashme me ato evropiane. Pra abortet të lejohen në 3 muajt e parë të shtatzënisë. Gjykata u ka dhënë shteteve individuale fuqinë për të vendosur masa më ekstreme, dhe kjo është shumë e rrezikshme. Progresistët duhet të zgjohen nga gjumi. Deri më sot, ata ua kanë besuar gjykatave mbrojtjen e të drejtave. Tani duhet të organizohen sërish, dhe të bëjnë të dëgjohet zëri i tyre.
Aborti është vetëm fillimi. Gjykata, që tashmë ka zgjeruar lirinë e qytetarëve amerikanë për t’u armatosur, i ka hequr fuqinë që kishte Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, dhe duket e gatshme të anashkalojë edhe rregullat elektorale. Pra ky organ ka plane ambicioze…
Duhet ta pranojmë se ndërsa Amerika kishte një Gjykatë të Lartë më progresiste sesa popullsia e saj në vitet 1950, 1960 dhe 1970, tani ajo ka dhe do të ketë për një kohë të gjatë një gjykatë më konservatore sesa shoqëria.
Kalojmë tek Donald Trump. Ministri i Drejtësisë nuk e ka paditur atë, dhe as duket se po përgatitet ta bëjë këtë lidhur me ngjarjet e dhunshme në Capitol Hill më 6 janar 2021. Pse Biden do në vitin 2024 përballë si kundërshtar një kandidat si Donald Trump, ndoshta më të dobësuar?
Unë nuk e di se çfarë dëshiron Biden. Por ai, ashtu si të gjithë udhëheqësit demokratë perëndimorë, është në vështirësi serioze për shkak të inflacionit dhe shkatërrimit të sistemit të prodhimit pas pandemisë. Nga Gjermania në Australi, ata që janë në krye të qeverive nga viti 2020, janë në telashe në vitin 2022.
Biden mund të fitojë kundër një Donald Trump të dobësuar. Por nuk ka pse të rrezikojë. Krizat e shkaktuara nga çmimet e ushqimeve dhe benzinës janë vdekjeprurëse. Nga ana tjetër, republikanët e dinë se Trump është jopopullor, dhe ata e dinë se kanë edhe kandidatë të tjerë që mund të fitojnë në vitin 2024, raporton abcnews.al.
Ndaj nëse do të munden, do të heqin qafe Trumpin. Me ish-presidentin si kandidat, republikanët do të bënin fushatë duke folur për zgjedhjet e vitit 2020, sipas tyre të vjedhura nga Biden, dhe jo për xhepat bosh të amerikanëve si pasojë e inflacionit. Të pasigurt dhe të frikësuar, drejtuesit e së djathtës kanë zgjedhur deri tani të qëndrojnë të heshtur. Këtu hyn në lojë hetimi parlamentar për sulmin e një turme njerëzish ndaj Kongresit.
Në fillim u duk si një ngjarje e vogël:një hetim nga një pjesë e një komisioni të përbërë kryesisht nga demokratët…
Përkundrazi, ai është sot një nga ngjarjet kryesore në SHBA. Pasi janë zbuluar fakte reale shumë të rënda. Sulmi ndaj Kongresit nuk ishte spontan, por i planifikuar. Trump e dinte atë ditë se shumë nga mbështetësit e tij ishin të armatosur. Ai donte të përmbyste rezultatin e votimit, ndaj e mirëpriti sulmin e trumës ndaj vetë zëvendësit i tij, Mike Pence.
Liz Cheney, nënkryetarja republikane e Komisionit Hetimor, e fyer dhe e sulmuar më parë nga e djathta, është sot një figurë e respektuar. Dy gazetat e manjatit Rupert Murdoch, Wall Street Journal dhe New York Post, po bëjnë thirrje që republikanët të garojnë me një kandidat tjetër dhe jo Trumpin.
Rrjeti i tij televiziv, Fox News, e sulmon vërtet komisionin hetimor, por nga ana tjetër lavdëron punën e guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis, alternativën e Trump në garën për emërimin zyrtar. Ajsbergu po lëviz nën sipërfaqen e ujit.
Po, por drejt një kandidati të “Trumpizmit pa Trumpin”, edhe më radikal se Donald…
Është ndryshe. Trump i refuzon rregullat e demokracisë, në një mënyrë shumë më radikale se sa republikanët e tjerë. Partia Republikane dëshiron ta bëjë më të vështirë votimin e të rinjve dhe të varfërve, duke favorizuar zonat rurale mbi ato urbane. Por Trump nuk mjaftohet vetëm me ndryshimin e rregullave.
Kur humb, ai zgjedh dhunën për ta përmbysur rezultatin e votimit. Sigurisht, ne do të kemi edhe probleme të tjera. Pasi DeSantis është shumë konservator dhe e përdor me ashpërsi pushtetin që ka. Por sa i përket çështjeve ndërkombëtare ndryshon shumë.
Unë besoj se për ju në Evropë, Trump apo jo Trump përbën një ndryshim të madh:Asnjë nga kandidatët e mundshëm republikanë nuk e simpatizon Putinin si ai, dhe askush nuk dëshiron të braktisë NATO-n ashtu siç synonte Donald Trump.
/abcnews.al