SHBA-ja do të pendohet për lëshimet e turpshme ndaj Rusisë

schedule16:04 - 30 Korrik, 2021

schedule 16:04 - 30 Korrik, 2021

Nga Daniel Kochis “Heritage Foundation”

Motoja e administratës Biden në Evropë ka qenë “Amerika është rikthyer në skenën globale!”. Por duke pasur parasysh marrëveshjen e fundit SHBA-Gjermani mbi lejimin e ndërtimit të gazsjellësit “Nord Stream II”, një slogan më i saktë dhe i sinqertë mund të jetë “Amerika po tërhiqet!”.

Kjo marrëveshje shiti në mënyrë të turpshme interesat e sigurisë amerikane në Evropë, dhe më e rëndësishmja interesat e vetë Gjermaninë. Gazsjellësi në fjalë, i planifikuar të kalojë nga Rusia në Gjermani, nuk është as i nevojshëm ekonomikisht dhe as gjeopolitikisht për Berlinin dhe Perëndimin.

Ai do të rrisë varësinë evropiane nga gazi rus, dhe do ta forcojë aftësinë e Rusisë për të përdorur dominimin e saj evropian të energjisë si një mjet politik. Po ashtu ai do të çimentojë mosmarrëveshjet evropiane mbi energjinë, që ka shkaktuar që në fillim projekti i“Nord Stream II”, dhe do të rrezikonte seriozisht aleatët amerikanë në Evropën Lindore dhe Qendrore.

Aktualisht gazi rus mbërrin në Evropë përmes tubacioneve nënujore, linjave të gazit natyror të lëngshëm dhe rrugëve tokësore që kalojnë nëpër shtetet baltike dhe Ukrainë. Nga “Nord Stream II” do të përfitojë ndjeshëm Rusia, pasi ky gazsjellës do t`i japë mundësi të shmangë pagimin e tarifave të tranzitit për vendet e Evropës Lindore siç është Ukraina.

Kievi i përdor ato para për të mbrojtur veten në luftën e vazhdueshme të mbështetur nga Rusia në rajonin e Donbasit. Në vitin 2020, 56 miliardë metra kub gaz mbërritën në Evropë përmes Ukrainës. Humbja e këtyre parave mund t’i kushtojë Ukrainës deri në 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Gjysma e parë e vitit 2021,ka sjellë tashmë një rënie prej 12.7 për qindtë volumit të gazit që kalon përmes Ukrainës. Dhe kjo është vetëm një shembull i vogël i asaj që do të vijë më vonë, sikurse e bën të qartë edhe deklarata e presidentit rus Vladimir Putin në qershor, se Ukrainës do t’i duhet që të tregojë “vullnet të mirë” për të siguruar vazhdimin e kalimit tranzit të gazit rus drejt Evropës Perëndimore.

Në Shtetet e Bashkuara, kundërshtimi ndaj “Nord Stream II” është nga të dyja palët në Kongres dhe Senat. Gati e gjithë Evropa e kundërshton gjithashtu. Edhe në Gjermani dhe disa vende të tjera, qeveritë e të cilave e mbështesin ende këtë gazsjellës, pjesë të konsiderueshme të publikut janë kundër projektit.

E gjitha kjo e bën edhe më tronditës kapitullimin e administratës Biden përballë rusëve. Megjithatë, ekipi i Joe Biden duket i etur që të qetësojë kancelaren gjermane Angela Merkel dhe ta hedhë pas krahëve këtë çështje. Ai pretendon se gazsjellësi ishte një fakt i kryer kur ata morën detyrën, dhe se kundërshtimi i vazhdueshëm vetëm sa do t`i helmonte më tej marrëdhëniet SHBA-Gjermani.

Ky pretendim është në fakt i pasaktë. Veprimet e Shteteve të Bashkuara nën administratën Trump e ndalën ndërtimin e gazsjellësit,dhe madje vunë në dyshim nëse ai do të përfundonte. Vetëm një vit më parë, kreu ekzekutiv i UNIPER, një nga pesë kompanitë kryesore evropiane të energjisë që financojnë “Nord Stream II”, foli hapur për skenarin e mbulimit të humbjeve nëse projekte binte poshtë nën presionin e sanksioneve të SHBA-së.

Por ndërtimi rinisi në shkurt të këtij viti, pavarësisht deklaratave zyrtare nga administrata Biden se Shtetet e Bashkuara mbeten kundër tij. Tre muaj më vonë, Uashingtoni sinjalizoi pranimin e projektit duke tërhequr sanksionet kundër kompanisë zbatuese AG dhe kreut të saj.

Duke kërkuar me ngulm një rrugëdalje nga kjo mosmarrëveshje, administrata Biden e ka gjetur atë në formën e një marrëveshjeje SHBA-Gjermani mbi masat që synojnë të zbusin ndikimet negative pas përfundimit të projektit në fjalë.

Sipas marrëveshjes, nëse Rusia do të synojë të përdorë importet e saj energjitike si armë kundër Ukrainës, Gjermania do të ndërmarrë si reagim një “veprim të paspecifikuar”, ndërsa do të kërkojë sanksione nga BE-ja për Moskën. Zyrtarët amerikanë, kanë treguar se kufizimi i importeve të gazit nga Rusia në Gjermani mund të jetë një veprim i tillë, por Berlini ka heshtur mbi një skenar të tillë.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania ranë dakord për të promovuar një “Fond të Gjelbër” prej 1 miliardë dollarësh – me një investim fillestar gjerman prej 175 milionë dollarësh – për të financuar kalimin e Ukrainës tek burimet e pastra të energjisë.

Po ashtu Gjermania do të emërojë një të dërguar special, për të mbështetur projektet energjitike dypalëshe me Ukrainën, dhe do të angazhohet “të zgjasë marrëveshjen e tranzitit të gazit midis Ukrainës dhe Rusisë edhe për 10 vjet të tjera, pasi ajo të përfundojë në vitin 2024”.

Kjo marrëveshje shumë e dobët, nuk do të bëjë asgjë për ta penguar Rusinë nga përdorimi i energjisë si një armë kundër Evropës. Përkundrazi, ajo ka të ngjarë ta inkurajojë Putin, që do ta interpretojë mungesën e vendosmërisë së SHBA-së për ta ndalur “Nord Stream II” si një licencë për agresionet e mëtejshme.

Administrata Biden dhe kancelaria Merkel, e negociuan marrëveshjen pa përfshirë aleatët e Evropës Lindore, që janë më të ndikuar nga sjelljet e rrezikshme të Rusisë. Në fakt, thuhet se zyrtarët amerikanë kanë shkuar aq larg sa të kërcënojnë Ukrainën të mbyllë gojën dhe të mos e kundërshtojë këtë marrëveshje, nëse nuk do që t’i shkaktojë dëme të mëdha marrëdhënieve dypalëshe SHBA-Ukrainë.

“Mekanizmat” mbi të cilat është rënë dakord për të lejuar përfundimin e gazsjellësit, janë një vrimë në ujë. Ato maskojnë heqjen dorë nga udhëheqja e SHBA-së për një çështje me rëndësi kryesore për marrëdhëniet transatlantike.

Historia ka treguar se nuk mund t’i besohet asnjë sigurie të dhënë nga rusët gjatë  negociatave. Moska do të ketë pak motivim për të negociuar një zgjatje të marrëveshjes së tranzitit me Ukrainën, sidomos pasi të përfundojë “Nord Stream II”.

Ky projekt është një “Kalë Toje” gjeopolitik, të cilin Moska dëshiron ta kalojë në vijën e finishit përpara zgjedhjeve parlamentare gjermane në shtator. Prandaj marrëveshja SHBA-Gjermani është një gjest diplomatik bosh dhe i rrezikshëm.

Shënim: Daniel Kochis është analist politik mbi çështjet evropiane në Qendrën për Lirinë Margaret Thatcher.

/Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!