SHBA-ja dhe Japonia dënojnë testin raketor të Koresë së Veriut

schedule04:30 - 6 Tetor, 2022

schedule 04:30 - 6 Tetor, 2022

Shtetet e Bashkuara dhe Japonia bashkërisht kanë dënuar lëshimin e një rakete balistike nga Koreja e Veriut.

Ky njoftim erdhi pasi presidenti amerikan, Joe Biden, bisedoi me kryeministrin japonez, Fumio Kishida, tha Shtëpia e Bardhë më 4 tetor.

Biden përsëriti se SHBA-ja “është e përkushtuar për mbrojtjen e Japonisë pasi Koreja e Veriut lëshoi një raketë mbi Japoni”, u tha në deklaratë.

“Liderët bashkërisht dënojnë testin e raketës, e shohin atë si kërcënim për popullin japonez, destabilizimin e rajonit dhe shkelje të qartë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, u shtua në deklaratë.

Biden dhe Kishida po ashtu konfirmuan se do të vazhdojnë të koordinojnë përgjigjen e tyre të përbashkët, me Korenë e Jugut dhe komunitetin ndërkombëtar.

Më 4 tetor, Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike mbi Japoni për herë të parë në pesë vjet.

Testimi i fundit – që është i pesti që Koreja e Veriut ka kryer në dhjetë ditët e fundit – shtyri Japoninë që të aktivizojë sistemin e alarmit të raketave dhe të lëshonte një paralajmërim të rrallë, duke iu bërë thirrje qytetarëve që të strehoheshin në vende të sigurta.

Për herë të fundit, Koreja e Veriut kishte lëshuar një raketë mbi Japoni më 2017, në kohën kur lideri verikorean Kim Jong Un, kishte shkëmbyer akuza me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Koreja e Jugut tha se raketa balistike me rreze të mesme veprimi fluturoi rreth 4.500 kilometra – që mund të jetë distancë rekord për fluturimet e raketave të Koresë së Veriut.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, e quajti “provokim” lëshimin e raketës dhe tha se ky testim përbën shkelje të rezolutave të OKB-së, duke u zotuar për “përgjigje të fuqishme”./REL/