Administrata amerikane ka humbur të martën një copëz të rëndësishme të saj në një kohë tensionesh në Lindjen e Mesme. Bëhet fjalë për sekretarin në detyrë të Mbrojtjes, Patrik Shejnahahn, i cili është tërhequr nga posti pas zërave për dhunë në familje.
Sekretari në detyrë i Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, Patrik Shejnahan ka hequr dorë nga mundësia për të mbajtur zyrtarisht postin e kreut të Pentagonit. Lajmin e ka konfirmuar vetë presidenti Donald Trump, konfirmim që ka shkaktuar pasiguri sa i takon lidershipit të institucionit në një kohë tensionesh në Lindjen e Mesme. Tërheqja e Shejnahan ka ardhur pas zërave për dhunë në familje mes tij, ish-bashkëshortes dhe të birit. Lajmi për incidentet doli në dritë pasi FBI nisi hetimet paraprake mbi to në prag të seancës së konfirmimit që do të mbahej në Senat. Ndërkohë, presidenti Trump ka deklaruar se sekretari për Ushtrinë, Mark Esper do të emërohet si sekretar i përkohshëm i Mbrojtjes.
Esper, një personazh tej mase i respektuar në ambientet e Pentagonit, konsiderohej një emër kyç për këtë post në rast se Shejnahan nuk do të konfirmohej. Tani, vendimi i papritur ka gjasa që të zgjasë më tej atë që ka qenë periudha më e gjatë pa një sekretar të konfirmuar të Mbrojtjes. Ndërkohë, kritikët kanë ngritur dyshime se largimi ka ardhur pasi Shejnahan, pa një konfirmim zyrtar, nuk kishte asnjë pushtet për t’u përballur me Trump në rast mosmarrëveshjesh mbi strategjitë ushtarake. Ish-shefi ekzekutiv i kompanisë “Boeing” nuk ka patur më parë eksperiencë në çështjet e sigurisë kombëtare. Ai u zgjodh pas largimit të sekretarit të Mbrojtjes, Xhim Metis, pas kontrasteve me Trump për Afganistanin dhe Sirinë./ABC News Albania 24/7