Një pjesëmarrës në një turne të video lojërave në Jacksonville të Floridas, ka vrarë me armë dy persona para se të kryente vetëvrasje, thotë policia amerikane. Ata e identifikuan autorin si David Katz, 24 vjeç, nga Baltimore dhe thanë se përdori një pistoletë gjysëmautomatike. Autoritetet njoftuan se nuk janë në kërkim të ndonjë bashkëpunëtori apo personi tjetër. Njëmbëdhjetë njerëz të tjerë u plagosën të dielën në Jacksonville Landing, një kompleks i madh tregtar dhe argëtimi. Mes tyre ishte edhe shqiptari 19-vjeçar, Drini Gjoka, i cili ishte pjesëmarrës në turne. Ai e përshkruan ngjarjen me disa mesazhe në tuiter dhe e cilëson si ditën më të keqe të jetës së tij. “Jam shumë me fat, plumbi më qëlloi në gisht”, shkruan ai.
Disa njoftime të pakonfirmuara thonë se Katz u zemërua pasi humbi në turneun e video lojrave të futbollit amerikan. Vitin e kaluar ai kishte arritur të fitonte këtë kampionat. Ndërkohë, e gjithë ngjarja ka ndodhur ndërsa turneu ishte në zhvillim e sipër dhe për këtë po transmetohej drejtëpërdrejtë në një platform online.
Flordia është përballur me disa ngjarje me të shtëna në masë vitet e fundit, përfshirë sulmin në Orlando në 2016, ku 49 persona humbën jetën dhe në shkurt të këtij viti në shkollën e mesme në Parkland ku u vranë 17 persona. /abcnews.al