Shtetet e Bashkuara kanë hequr sanksionet ndaj pjesëtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), duke përfshirë një prokurore, e cila kishte filluar një hetim për pretendimet e krimeve të luftës nga personeli ushtarak amerikan në Afganistan.
Sanksionet kishin shënjestruan prokuroren, Fatou Bensouda dhe stafin tjetër të gjykatës.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha përmes një deklarate tha se sanksionet ishin “të papërshtatshme dhe joefektive”.
Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, vitin e kaluar e akuzoi GJNP-në, me bazë në Hagë, për shkelje të sovranitetit kombëtar të SHBA-së pasi autorizoi një hetim për krime lufte të pretenduara të kryera nga forcat afgane, talibanët ose trupat amerikane.
Shtetet e Bashkuara u zemëruan edhe më shumë kur Gjykata i hapi rrugë një hetimi mbi pretendimet e krimeve të luftës nga Izraeli në territoret palestineze.
Blinken tha pavarësisht heqjes së sanksioneve, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të “mos bien dakord fuqimisht me veprimet e GJNP-së në lidhje me Afganistanin dhe situatës me palestinezët”.
Ai tha se SHBA-ja kundërshton përpjekjet e GJNP-së për të vendosur juridiksionin mbi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, të cilat nuk janë anëtare të gjykatës.
Por, ai tha se Uashingtoni beson se shqetësimet “do të adresoheshin më mirë përmes angazhimit me të gjitha palët e interesuara në procesin e GJNP-së sesa përmes vendosjes së sanksioneve”.
Gjykata e mirëpriti vendimin e SHBA-së, duke thënë se ajo do të kontribuojë në forcimin e punës së saj.
Silvia Fernandez de Gurmendi, kreu i Shoqatës së Shteteve Anëtare të GJNP-së, tha se gjykata kishte “mirëpritur gjithmonë pjesëmarrjen” e Shteteve të Bashkuara në arritjen e drejtësisë për krimet e luftës pavarësisht nga vendimi i SHBA për të mos ratifikuar themelimin e Statutit të Romës më 1998.
Në literaturën juridike, kjo gjykatë njihet edhe si Gjykata e Romës, për shkak të miratimit të statutit të saj në Romë, në korrik të vitit 1998, në Konferencën Diplomatike. Si palë nënshkruese të Statutit të Romës janë 123 vende, anëtare të OKB-së.
Prokurorja Bensouda është duke lënë punën e saj në qershor dhe do të zëvendësohet nga avokati britanik për të drejtat e njeriut, Karim Khan./REL