Shtetet e Bashkuara duket se kanë kryer sulmin e parë në Venezuelë, pasi kishin nisur një fushatë ushtarake ndaj anijeve që pretendohej se transportonin drogë.
Në fillim të muajit dhjetor, CIA kreu një sulm me dronë në një strukturë portuale në bregdetin e Venezuelës.
Sipas medias amerikane CNN, sulmi me dronë kishte në shënjestër një skelë në bregdetin e Venezuelës që qeveria amerikane besonte se po përdorej nga banda venezueliane Tren de Aragua për të ruajtur drogë dhe për ta transportuar atë në anije. Askush nuk ishte i pranishëm në strukturë në kohën kur u godit, kështu që nuk pati viktima.
Sulmi u konfirmua edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, I cili tha se pati një shpërthim të madh në vendin ku trafikantët ngarkonin anijet me drogë, por nuk dha detaje ne lidhje me ngjarjen apo vendndodhjen.
Sulmi mund të përshkallëzojë ndjeshëm tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Venezuelan Nicolas Maduro, të cilit Uashingtoni i ka bërë presion të japë dorëheqjen përmes një fushate ushtarake agresive.
Megjithatë burime thanë se sulmi ishte i suksesshëm, pra shkatërroi objektin dhe anijet e tij, por ishte kryesisht simbolik, pasi është vetëm një nga shumë objektet portuale të përdorura nga trafikantët e drogës që largohen nga Venezuela. Gjithashtu, sulmi duket se tërhoqi pak ose aspak vëmendje, madje edhe brenda vendit.
Ushtria amerikane ka nisur sulme duke shkatërruar më shumë se 30 anije në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor lindor në atë që e kanë përshkruar si një fushatë kundër narkotikëve, dhe Trump ka urdhëruar një bllokadë të cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Sulmi më I fundit ndaj një anijeje në Paqësorin Lindor la dy të vrarë. / abcnews.al /

