SHBA fut katër kompani në listën e zezë

schedule18:31 - 3 Nëntor, 2021

schedule 18:31 - 3 Nëntor, 2021

Qeveria amerikane ka shtuar katër kompani të huaja teknologjike në listën e kompanive që thotë se kishin “zhvilluar dhe kishin pajisur me programe kompjuterike spiunazhi qeveritë e huaja” dhe se ato “u përdorën për të vënë në shënjestër në mënyrë keqdashëse zyrtarë qeveritarë, gazetarë, biznesmenë, aktivistë, akademikë dhe punonjës të ambasadave.”

Departamenti i Shtetit akuzoi kompanitë për “përfshirje në aktivitete që bien ndesh me sigurinë kombëtare ose interesat e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

Kompanitë janë NSO Group dhe Candiru të Izraelit, Positive Technologies të Rusisë dhe Iniciativa për Sigurinë Kompjuterike të Singaporit PTE. LTD.

Këto kompani tani do të përballen me kufizime të rënda në eksportimin e produkteve të tyre në SHBA dhe do ta bëjë të vështirë për firmat amerikane të sigurisë kibernetike t’u shesin atyre informacione që mund të jenë të dobishme në zhvillimin e produkteve të tyre.

“Kjo përpjekje ka për qëllim përmirësimin e sigurisë dixhitale të qytetarëve, luftimin e kërcënimeve kibernetike dhe zbutjen e mbikëqyrjes së paligjshme”, tha Departamenti i Shtetit.

Sipas agjencisë Reuters, si kompania NSO Group ashtu edhe Candiru janë akuzuar për shitjen e produkteve të tyre tek regjimet autoritare. NSO tha se ndërmerr veprime për të parandaluar abuzimin e produkteve të saj.

Kompania Positive Technologies ka qenë në pikëpyetje më parë, pasi ishte sanksionuar nga administrata Biden sepse ka ofruar ndihmë për forcat ruse të sigurisë. Kompania tha se nuk ka bërë asgjë të keqe.

Asnjë nga kompanitë nuk komentoi për përfshirjen e tyre në listën e zezë./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!