Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Rusisë të enjten bënë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin midis forcave armene dhe azerbajxhanase në enklavën e Nagorno-Karabakut. Në luftimet intensive të ditëve të fundit në rajonin e trazuar të Kaukazit të Jugut janë vrarë dhjetëra njerëz.
“Ne shprehim keqardhje për vrasjet dhe shprehim ngushëllime për familjet e të vdekurve dhe të plagosurve”, thuhet në një deklaratë të Presidentit amerikan Donald Trump,atij francez Emmanuel Macron dhe presidentit rus Vladimir Putin, të publikuar së pari në faqen zyrtare të Kremlinit të enjten.
“Ne bëjmë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive midis forcave përkatëse ushtarake”, thuhet në deklaratë.
“Ne gjithashtu u bëjmë thirrje udhëheqësve të Armenisë dhe Azerbajxhanit që të angazhohen pa vonesë në përpjekjet për rifillimin e negociatave thelbësore, me mirëbesim dhe pa parakushte”, thanë udhëheqësit.
Me komunikatën diplomatike, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia rifilluan rolet e tyre si bashkëkryetarë të një përpjekjeje për paqe të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) që daton që nga fillimi i konfliktit në Nagorno-Karabak në vitet 1990.
Thirrja e tyre e përbashkët vjen gjithashtu mes shqetësimeve në rritje se Turqia, një aleat tradicional i Azerbajxhanit dhe anëtare e NATO-s,që fajësohet nga armenët për një gjenocid ndaj tyre mbi një shekull më parë, mund të shkaktojë një konflikt më të gjerë rajonal.
Përpara deklaratës, Presidenti Macron akuzoi Ankaranë për veprime “që ngjajnë me angazhimin në luftë” duke dërguar atje mercenarë të ardhur nga luftimet në Siri.
“Sot, ne kemi informacion të sigurt se militantët sirianë kanë lënë frontin e tyre për t’u bashkuar me luftimet në Karabak”, tha Macron.”Kjo është shumë serioze.”
Ndërsa deklarata e publikuar nga Kremlini nuk përmendi rolin turk, Ministria e Jashtme e Rusisë paralajmëroi në fillim të kësaj jave se besonte se mercenarë nga Siria dhe Libani ishin bashkuar në luftimet në Nagorno-Karabak.
Turqia ka mohuar dërgimin e luftëtarëve, por në mënyrë të përsëritur ka shprehur mbështetjen e saj për Azerbajxhanin në këtë konflikt.
Rusia, nga ana tjetër, ka një aleancë mbrojtëse strategjike me Armeninë, por është përpjekur të ruaj marrëdhëniet e mira me Azerbajxhanin, një veprim i kujdesshëm balancimi që vëzhguesit rajonalë thonë se tani rrezikon të shembet.
“Putini përballet me një vendim të vështirë, nëse e ndihmon Armeninë ai i jep fund rolit paqeruajtës të Rusisë në konflikt. Por ai nuk mund ta braktisë Armeninë”, i tha Zëri i Amerikës Alexei Malashenko i Institutit për Dialog të Qytetërimeve në Moskë.
Malashenko theksoi se Rusia, së bashku me ish-shtetet sovjetike të Bjellorusisë, Kazakistanit dhe Kirgistanit, është e angazhuar në një pakt të përbashkët mbrojtjeje me Armeninë, nëse qeveria në Jerevan kërkon ndihmë ushtarake.
Përfshirja e Turqisë në negociatat e ardhshme, shtoi ai, do të ishte thelbësore për të paramndaluar daljen jashtë kontrollit të luftimeve.
Luftimet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit shpërthyen më 27 shtator, tensionet e fundit në një konflikt të ngrirë që shpërtheu pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Rrënjët e konfliktit
Nagorno-Karabaku është një enklavë etnike armene brenda kufijve të Azerbajxhanit që ishte skenë e një lufte në fillim të viteve 1990 në të cilën u vranë 30,000 njerëz dhe zhvendosën më shumë se një milion të tjerë.
Nagorno-Karabaku ka shpallur pavarësinë, por bashkësia ndërkombëtare e njeh zyrtarisht territorin si pjesë të Azerbajxhanit.
Kontribues i mëtejshëm i mosbesimit janë tensionet fetare: Armenia është një vend me shumicë të krishtere ndërsa Azerbajxhani është një vend me popullsi kryesisht myslimane.
Një armëpushim i negociuar ndërkombëtarisht në vitin 1994 ngriu konfliktin, por nuk arriti të sillte një paqe të qëndrueshme.
Gjatë viteve, të dy palët kanë shkelur armëpushimin dhe janë angazhuar në përleshje, në të cilat ka patur të vrarë. Luftimet e fundit shpërthyen pasi Armenia dhe autoritetet në Nagorno-Karabak thanë se Azerbajxhani filloi një “sulm të përgjithshëm” kundër enklavës.
Qeveria në Baku tha se ishte përfshirë në një “kundërsulm” dhe akuzoi Armeninë për infiltrim në enklavë me armë dhe trupa.
Raportet për viktima në rritje
Nisma e ripërtërirë diplomatike vjen ndërsa Armenia dhe Azerbajxhani shkëmbyen akuza, duke fajësuar njëri-tjetrin për shkaktim të dëmeve të mëdha.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se forcat e saj kishin vrarë deri në 2,300 ushtarë armenë dhe kishin shkatërruar 130 tanke armene, 200 pika artilerie dhe 25 sisteme të mbrojtjes nga raketat.
Nga ana e saj, Armenia tha se kishte vrarë 790 ushtarë të Azerbajxhanit dhe kishte plagosur 1,900 të tjerë. Qeveria në Jerevan pretendoi gjithashtu se kishte shkatërruar 137 tanke të ushtrisë së Azerbajxhanit, 72 dronë dhe shtatë helikopterë.
Ndërsa asnjë nga shifrat nuk mund të konfirmohej, grupet e të drejtave të njeriut thanë se civilët u dëmtuan në luftime.
“Shkallëzimi i fundit ka shkaktuar frikë në mesin e popullatës me shumë njerëz që përpiqen të largohen dhe të zhvendosen vetë dhe familjet e tyre në zona të sigurta”, tha Eteri Musayelian nga Komitetit i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar kur u pyet për konfliktin nga Zëri i Amerikës në Nagorno-Karabak.
“Ka civilë në mesin e viktimave nga të dyja palët”, shtoi Musayelian.
“Të gjitha palët duhet ta kujtojnë se sulmet që kanë në shënjestër civilët janë shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe konsiderohen krime lufte”, thuhet në një deklaratë të drejtorit të programeve të Evropës dhe Azisë Qendrore në organizatën Human Rights Watch, Hugh Williamson.
“Kjo është e vërtetë edhe nëse ato kryhen si hakmarrje për sulme pa kriter nga kundërshtari”, shtoi ai./VOA