SHBA: Forcat detare iraniane janë tërhequr, për momentin

schedule07:56 - 5 Tetor, 2023

schedule 07:56 - 5 Tetor, 2023

Një demonstrim i fuqisë amerikane duket se ka mjaftuar për ta bërë Iranin të zmbrapset, pasi forcat detare iraniane patën vënë në objektiv më herët këtë vit anijet në Ngushticën e Hormuzit si dhe në Gjirin e Omanit.

Komandanti i Komandës Qendrore të Forcave Ajrore Amerikane tha të mërkurën se vendimi i korrikut për të dërguar në Gjirin Persik avionë luftarakë F-35 dhe F-16, së bashku me një destrojer dhe një grup luftarak detar, pjesë e të cilit ishin rreth 2,500 marinsa, duket se pati efekt tek zyrtarët iranianë.

“Prania e shtuar e mjeteve detare… të kombinuara me fuqinë tonë ajrore, e dekurajuan Iranin nga ndërmarrja e veprimeve të mëtejshme kundër anijeve të transportit detar”, tha në Uashington Gjeneral Lietnant Alexus Grynkewich, gjatë një takimi të “Defense Writers Group”, një shoqatë e gazetarëve të specializuar për çështjet e sigurisë kombëtare.

“Ka patur efekte të mira”, shtoi ai.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, urdhëroi shtimin e pranisë amerikane në rajon, pasi Irani u përpoq të sekuestronte dy anije çisterna në ujërat ndërkombëtare pranë bregdetit të Omanit, në fillim të korrikut. Vetëm pak muaj më parë, Irani pati sekuestruar dy anije çisterna që kalonin në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas Marinës së Shteteve të Bashkuara, në total Irani ka sekuestruar apo ndjekur rreth 20 anije në rajon gjatë dy viteve të fundit.

Sidoqoftë, Gjenerali Grynkewich paralajmëroi se efekti i pranisë amerikane që dekurajoi Iranin nga ndërhyrja tek linjat e transportit detar mund të jetë afatshkurtër, në veçanti pasi prania amerikane atje është vetëm e përkohshme dhe disa prej njësive janë të planifikuara për t’u rikthyer në atdhe.

Drejtuesi i forcave ajrore amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme gjithashtu sugjeroi se vendimi i Teheranit për t’u tërhequr mund të jetë edhe pjesë e një përllogaritjeje më të gjerë politike.

“Nuk u përshtatet qëllimeve të tyre politike në këtë moment që t’i drejtohen dhunës”, u tha ai gazetarëve. “Është pjesë e vlerësimit iranian se kjo do t’i kundërvihej iniciativave të tyre diplomatike, nëpërmjet të cilave po përpiqen të paraqesin veten si një partner i përgjegjshëm”.

“Por nuk ka asnjë dyshim në mendjen time prej ushtaraku, se do t’i riktheheshin asaj taktike në të ardhmen, nëse e shohin si në interesin e tyre”, tha Gjenerali Grynkewich.

Shqetësim i veçantë për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët në rajon përbën rrjeti në zgjerim i forcave paraushtarake që shtrihen në Irak, Siri dhe Liban, për të cilat zyrtarët thonë se vazhdojnë të fitojnë forcë dhe influencë më të madhe, me mbështetjen e Teheranit.

Zyrtarët amerikanë thonë se këto grupe kanë krijuar gjatë tre-katër muajve të fundit rezerva me armatime të prodhuara në Iran, përfshirë dronë, raketa me rreze të shkurtër dhe një shumëllojshmëri armësh më të vogla.

Për më tepër, zyrtarët amerikanë kanë marrë sinjale se anëtarët e Forcave të Gardës Revolucionare të Iranit, kanë ndihmuar për stërvitjen dhe këshillimin e këtyre forcave paraushtarake, me synimin që ato të jenë më të mirëpërgatitura kur Irani të vendosë se duhet të hidhen në veprim.

Ka gjithashtu shenja se forcat iraniane po bëhen edhe më të paduruara.

Muajin e kaluar, Marina Amerikane akuzoi marinarët iranianë se drejtuan në mënyrë të përsëritur lazera drejt një helikopteri amerikan që fluturonte në hapësirën ndërkombëtare mbi Gjirin Persik.

Dhe në muajin gusht, zyrtarët amerikanë të antiterrorit paralajmëruan se nga të dhënat e zbulimit sugjerohet se shërbimet iraniane “po nxisin komplotet kundër Shteteve të Bashkuara dhe interesave të tjera perëndimore, si dhe kundër disidentëve iranianë në mënyrë më agresive se ndonjëherë më parë, që nga vitet 1980”.

Në rast se Irani fillon të ndërhyjë sërish tek linjat e transportit detar, komandanti amerikan tha se forcat amerikane do të jenë të gatshme për një tjetër demonstrim force.

“Shtetet e Bashkuara janë absolutisht të gatshme të rikthehen dhe të shtojnë forcat edhe njëherë”, tha ai./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!