Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një evakuim të pjesshëm të ambasadës së tyre në Irak dhe do të lejojnë personat në varësi të ushtrisë të largohen nga vendet përreth Lindjes së Mesme për shkak të rreziqeve të rritura të sigurisë në rajon, thanë të mërkurën burime amerikane dhe irakiane.
Katër burimet amerikane dhe dy burimet irakiane nuk specifikuan se cilat rreziqe sigurie kishin nxitur vendimin dhe raportet për evakuimin e mundshëm rritën çmimet e naftës me më shumë se 4 përqind, shkruan Reuters.
“Departamenti i Shtetit shqyrton rregullisht personelin amerikan jashtë vendit dhe ky vendim u mor si rezultat i një shqyrtimi të kohëve të fundit”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, për Reuters kur u pyet në lidhje me raportet për evakuime të pjesshme, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte në dijeni të këtij veprimi.
Evakuimet e pjesshme vijnë në një moment tensionesh të larta në një rajon tashmë të përfshirë nga flakët pas 18 muajsh lufte në Gaza, që ka ngritur frikën e një përplasjeje më të gjerë që do të vendosë SHBA-në dhe Izraelin kundër Iranit dhe aleatëve të tij.
Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do ta godasë Iranin nëse bisedimet e ngërçura mbi programin e tij bërthamor dështojnë dhe të mërkurën ai tha se po bëhet gjithnjë e më pak i sigurt se Teherani do të bjerë dakord të ndalojë pasurimin e uraniumit, një kërkesë kyçe amerikane./abcnews.al