SHBA e pranon përdorimin e armëve kimike në Siri

schedule16:18 - 20 Tetor, 2017

schedule 16:18 - 20 Tetor, 2017

Uashingtoni ka pranuar për të parën herë se edhe militantët ekstremistë sirianë po përdorin armë kimike. Kjo pranohet në një thirrje që i bëhet qytetarëve amerikanë, të shmangin udhëtimet e tyre drejt Sirisë, pasi u rrezikohet jeta.

Shtetet e Bashkuara pranojnë për të parën herë se në Siri, armët kimike po përdoren edhe nga grupet ekstremiste anti-qeveritare. Këtë Departamenti Amerikan i Shtetit e pranon përmes një thirrjeje me shkrim, drejtuar qytetarëve amerikanë për të shmangur udhëtimet drejt Sirisë. Sipas deklaratës së Departamentit të Shtetit, amerikanëve u rrezikohet jeta në Siri për shkak të aktivitetit të grupeve ekstremiste si Shteti Islamik e fronti Al-Nusra. Taktikat e përdorura nga këto grupe janë sulmet vetëvrasëse, pengmarrjet, sulme me armë të lehta e të rënda, vendosje eksplozivësh dhe sulme me armë kimike.
Deri më sot, vetëm Moska kishte hedhur akuza se grupet ekstremiste islamike që luftojnë qeverinë e Bashar Al-Asadit, përdorin armë kimike. Ndërsa Uashingtoni i kishte kundërshtuar këto pretendime, duke thënë se nuk ka prova. Rasti më i fundit ka qenë ai i prillit, kur Uashingtoni i fajsoi menjëherë qeverinë e Damaskut për sulmin me armë kimike ndaj popullsisë në provincën Idlib, ku humbën jetën dhjetëra civilë, mes tyre shumë fëmijë. Arsyetimi amerikan në atë kohë ishte se vetëm qeveria e Bashar al-Asadit dispononte armë kimike në konfliktin sirian.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!