Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka uruar Britaninë dhe Bashkimin Europian për arritjen e marrëveshjes tregtare postBrexit, duke thënë se Uashingtoni është gati për të krijuar “lidhje më të forta transatlantike”.
“Përgëzime për Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Europian për arritjen e një marrëveshjeje historike postBrexit”, shkruhet në mesazhin e zyrtarëve për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.
“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me të gjithë për të ndërtuar marrëdhënie edhe më të fuqishme transatlantike në të ardhmen”.
Britania dhe Bashkimi Europian kanë nënshkruar marrëveshjen të enjten, pas disa muajve të negociatave. Mbështetësit e Brexit janë zotuar për marrëveshje të re tregtare me SHBA-në për të kompensuar largimin nga blloku europian.
Dokumenti i marrëveshjes besohet se ka rreth 2,000 faqe, ndërkohë që të dyja palët kanë kohë deri më 31 dhjetor që ta miratojnë atë në parlamentet përkatëse.
Kjo pasi në këtë datë Britania përfundon periudhën tranzitore pas largimit zyrtar nga blloku europian në janar në këtij viti.
Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja u vendos pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundrejt 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./abcnews.al