SHBA, e alarmuar pas grushtit të shtetit në Mianmar

schedule11:45 - 1 Shkurt, 2021

schedule 11:45 - 1 Shkurt, 2021

SHBA është shprehur e alarmuar nga raportimet se ushtria e Mianmarit ka marrë pushtetin dhe ka arrestuar zyrtarët e lartë të vendit.

“SHBA është e alarmuar nga raportimet se ushtria birmane ka ndërmarrë hapa për të minuar tranzicionin demokratik të vendit, duke përfshirë arrestimin e këshilltares së shtetit, Aung San Suu Kyi, si dhe zyrtarëve të tjerë civilë në Burma”, thuhet në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, duke përdorur emrin e mëparshëm të Mianmarit.

”Presidenti Joe Biden është informuar nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan në lidhje me situatën”, tha sekretarja e shtypit Jen Psaki në një deklaratë.

“Ne vazhdojmë të afirmojmë mbështetjen tonë të fuqishme për institucionet demokratike të Burmas dhe në koordinim me partnerët tanë rajonalë, nxisim ushtrinë dhe të gjitha palët e tjera që t’u përmbahen normave demokratike dhe sundimit të ligjit dhe të lirojnë të arrestuarit sot”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu theksohet se SHBA kundërshton çdo përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit ose për të penguar tranzicionin demokratik të Mianmarit, ndërsa shtohet se SHBA qëndron pranë popullit të Mianmarit dhe do të marrë masa kundër atyre që janë përgjegjës nëse nuk ndryshojnë këto veprime.

Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjithashtu shprehu “shqetësim të madh” mbi situatën dhe u bëri thirrje udhëheqësve ushtarakë të Mianmarit që të lirojnë të gjithë zyrtarët qeveritarë dhe udhëheqësit e shoqërisë civile.

Më herët, ushtria shpalli gjendje emergjence disa orë pasi ndaloi presidentin e vendit Win Myint, këshilltaren Aung San Suu Kyi, si dhe anëtarët e tjerë të lartë të partisë në pushtet Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).

Ushtria pretendon se veprimet po kryhen për shkak të “mashtrimit zgjedhor” në zgjedhjet e 8 nëntorit.

Ushtria gjithashtu njoftoi se Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Min Aung Hlaing, është caktuar si president i vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!