Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për ekonominë Gary Cohn ka dhënë dorëheqjen. Vendimi i tij lidhet me planin e presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e taksave për importin e aluminit dhe çelikut.
Gary Cohn, këshilltari për ekonominë i Presidentit Amerikan, Donald Trump ka dhënë dorëheqjen. Kjo është konfirmuar nga vetë Shtëpia e Bardhë. Ky ishte i fundit i një sërë largimesh të figurave të larta të administratës së Trump. Në mediat amerikane ka pasur spekulime që Cohn, një mbështetës i tregtisë së lirë, ka kundërshtuar planin e presidentit për të vendosur tarifa për importimin e aluminit dhe çelikut.
Në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, Cohn nënvizon se për të “ishte një nder që i shërbeu vendit”. 57-vjeçari, ish-president i bankës “Goldman Sachs” ka ndihmuar Trump që të aprovojë reformën e taksave në fund të vitit të kaluar. Duke e konsideruar gjendjen në Shtëpinë e Bardhë si një kaos total, mediat raportojnë se mardhënia mes Trump dhe Cohn nuk ka qenë kurrë e afërt.
Megjithatë për këto pretendime ka ardhur dhe një reagim nga persidenti amerikan. “Lajmi fals Ii ri është që në Shtëpinë e Bardhë ka kaos. Kjo është e gabuar! Njerzit gjithmonë do të vijnë dhe ikin, por unë dua një bashkëbisedim të fortë përpara vendimit përfundimtar”, shkruan Trump në tuitër. Ndërsa më tej ai nënvizon se dëshiron dhe që të ndryshojë disa figura në administratën e tij, pasi ai gjithmonë kërkon perfeksionin.
“Do të marr një vendim shumë shpejt për emërimin e ri të këshilltarit për ekonominë. Shumë persona dëshirojnë këtë vend pune, por unë do të zgjedh me zgjuarsi”, shton më tej Kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, në gusht të vitit të kaluar, Cohn kritikoi Trump lidhur me reagimin e tij për një protestë të ekstremistëve të djathtë në Sharlotsvil të Virxhinias. Në atë kohë, ai tha se administrata mund të bëjë më shumë. Mediat raportuan vitin e kaluar se pas protestët Cohn kishte dorëzuar dorëheqjen./abcnews.al

