SHBA do të dërgojë raketa me uranium të varfëruar në Ukrainë

schedule22:06 - 6 Shtator, 2023

schedule 22:06 - 6 Shtator, 2023

Shtetet e Bashkuara do të furnizojnë Ukrainën me municione të uraniumit të varfëruar, të cilat janë shumë efektive kundër tankeve dhe automjeteve të blinduara, njoftoi Pentagoni.

Këto raketa 120 mm përdoren nga tanket e SHBA Abrams, të cilat Uashingtoni ia ka premtuar Kievit si pjesë e një pakete të re ndihme ushtarake prej 175 milion dollarësh.

Sipas zëdhënësit së Shtëpisë së Bardhë, kjo paketë e re përfshin edhe raketahedhës HIMARS, armë antitank Javelin, tanke Abrams dhe sisteme të tjera armësh.

Është hera e parë që SHBA ka thënë se planifikon të furnizojë Ukrainën me raketa me uranium të varfëruar, të cilat kanë më shumë fuqi depërtuese, por konsiderohen të diskutueshme për shkak të rrezikut toksik që paraqesin si për ushtarët ashtu edhe për popullatën. Britania kishte njoftuar tashmë, disa muaj më parë, synimin e saj për të dërguar municione me uranium të varfëruar, një nismë e denoncuar nga Moska.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili ndodhet në një vizitë dy-ditore në Ukrainë, tha gjatë takimit të tij me presidentin e vendit Volodymyr Zelensky se Kievi kishte bërë “përparim të rëndësishëm” në kundërsulmin e nisur në qershor. Ai madje tha se ishte i inkurajuar nga rezultatet e kundërofensive dhe mezi priste të dëgjonte rrëfimin e Zelensky për dy ditët që ai kaloi pranë vijës së parë këtë javë. “Por ne sigurisht shohim përparimin e rëndësishëm që është bërë në kundërsulm dhe kjo është shumë inkurajuese,” shtoi ai.

Nga ana e tij, Zelensky paralajmëroi se dimri i ardhshëm do të jetë “i vështirë”. “Por ne jemi të lumtur sepse nuk do ta kalojmë vetëm. Ne do ta bëjmë atë së bashku me partnerët tanë”, vazhdoi ai, duke falënderuar SHBA-në për ndihmën e dhënë në sektorin e energjisë, i cili është shënjestruar sistematikisht nga forcat ruse vitin e kaluar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!