SHBA dhe Kina arrijnë marrëveshjen tregtar dhe heqjen e kufizimeve mbi mineralet e rralla

schedule15:15 - 11 Qershor, 2025

schedule 15:15 - 11 Qershor, 2025

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës deklaruan të martën se kanë arritur një marrëveshje kuadër për të rikthyer armëpushimin tregtar mes dy vendeve dhe për të hequr kufizimet kineze mbi eksportet e mineraleve të rralla, ndonëse nuk dhanë shenja për një zgjidhje të qëndrueshme ndaj mosmarrëveshjeve afatgjata tregtare.

Pas dy ditësh negociatash intensive në Londër, Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, tha për gazetarët se marrëveshja kuadër e arritur muajin e kaluar në Gjenevë, e cila synonte të ulte tarifat ndëshkuese reciproke që kishin arritur nivele të larta është një sinjal se po bëhet një punë e mirë.

Megjithatë, ajo marrëveshje u përball me pengesa për shkak të vazhdimit të kufizimeve kineze mbi eksportin e mineraleve kritike, çka e shtyu administratën Trump të vendoste ndalime të reja mbi eksportet amerikane drejt Kinës përfshirë softuerët për projektimin e gjysmëpërçuesve dhe avionët.

Sipas Lutnick, marrëveshja e arritur në Londër do të heqë kufizimet kineze për eksportin e mineraleve të rralla dhe magneteve, si edhe disa nga ndalimet amerikane, “në një mënyrë të balancuar”, por ai nuk dha hollësi të mëtejshme pasi bisedimet përfunduan në mesnatë.

“Kemi arritur një kuadër për të zbatuar konsensusin e Gjenevës dhe bisedën mes dy presidentëve,” tha ai, duke shtuar se tashmë palët do të kthehen në vendet e tyre për të paraqitur marrëveshjen për miratim nga presidentët përkatës. Zëvendësministri kinez i Tregtisë, konfirmoi gjithashtu arritjen e një marrëveshjeje në parim, e cila do të shqyrtohet nga udhëheqësit amerikanë dhe kinezë.

Politikat e paqëndrueshme tarifore të presidentit Donald Trump kanë tronditur tregjet globale, kanë krijuar bllokime dhe kaos në portet kryesore dhe kanë shkaktuar humbje prej dhjetëra miliarda dollarësh për kompanitë ndërkombëtare.

Banka Botërore njoftoi të martën se ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike globale për vitin 2025 në 2.3%, duke përmendur tarifat e larta dhe pasiguritë si pengesa të mëdha për ekonomitë e botës.

Pekini dhe Washingtoni kanë afat deri më 10 gusht për të negociuar një marrëveshje më të gjerë që do të qetësonte tensionet tregtare. Nëse dështojnë, tarifat do të kthehen në nivele shumë të larta deri në 145% nga pala amerikane dhe 125% nga pala kineze./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!