Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida i bënë thirrje Izraelit, për të cilin thanë se “ka të drejtë të vetëmbrohet”, të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të mbrojë civilët.
Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Biden dhe Kishida janë takuar në kuadër të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) të mbajtur në San Francisko të SHBA-së.
Në takim, krahas sigurisë globale dhe rajonale u diskutuan edhe çështjet për rritjen e bashkëpunimit dypalësh të sigurisë dhe ekonomisë. Në takimin ku u theksua se “Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten” ndër të tjera Izraelit iu bë thirrje që të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të mbrojë civilët.
U diskutuan çështjet rajonale
Biden dhe Kishida ranë dakord të punojnë së bashku me qëllim dërgimin e nevojave urgjente për civilët në Gaza si dhe premtuan të bashkëpunojnë për të parandaluar përhapjen e konfliktit dhe për çështjen e paqes së përhershme.
Dy liderët gjithashtu diskutuan vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën si dhe rëndësinë e vazhdimit të paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit, Gadishullin e Koresë dhe në Detin e Kinës Lindore dhe Jugore.
Biden dhe Kishida ranë dakord edhe për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve në fushën e mbrojtjes.