Senatorët demokratë në Shtetet e Bashkuara kanë gjetur mbështetjen e disa kolegëve republikanë për një nismë dypartiake në mbrojtje të hetimeve mbi ndërhyrjen ruse. Ndonëse përpjekja është kundërshtuar nga kreu i Senatit, ajo ka gjasa të mërzisë presidentin Trump për shkak të përkrahjes së senatorëve të tij.
Dy senatorë amerikanë u zotuan të mërkurën se do të nxisin një nismë për një masë dypartiake, që do të mbrojë hetimin federal mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s. Republikani Xhef Flejk dhe demokrati Kris Kuns deklaruan se do t’u kërkojnë kolegëve të tyre një votim, që ka gjasa të mos i pëlqejë presidentit Donald Trump. Ndërkohë, lideri i republikanëve Miç Mek Konell e kundërshtoi idenë me argumentin se për mbrojtjen e çështjes së njohur si “RASHAGEJT” nuk është e nevojshme një nismë ligjore. “Të gjithë e dimë se çfarë mendon presidenti për këtë hetim, por ai kurrë nuk ka deklaruar se do ta mbyllë procesin”, tha Mek Konell.
Përpjekja e senatorëve Flejk dhe Kuns vjen një javë pasi Trump alarmoi demokratët pasi detyroi prokurorin e përgjithshëm Xhef Sesshëns të jepte dorëheqjen dhe e zëvendësoi atë me Metju Uajtejkër, një besnik i presidentit dhe kritik i hetimit të Myler. Kritikë të caktimit të Uajtejkër pretendojnë se prokurori i përgjithshëm në detyrë mund ta shkarkojë Myler, ose të pengojë hetimet e tij duke ndërhyrë në to. Trump, që vazhdimisht e ka cilësuar çështjen “RASHAGEJT” një gjueti shtrigash, vazhdimisht ka mohuar mpleksjen me rusët. Nga ana tjetër, Moska ka mohuar çdo ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale./abcnews.al