SHBA, demokratët aprovojnë draftin për rihapjen e agjencive federale

schedule22:45 - 11 Janar, 2019

schedule 22:45 - 11 Janar, 2019

Demokratët në Kongresin amerikan kanë aprovuar një projektligj që parashikon rifillimin e pjesshëm të punës në agjencitë federale. Por, kur numërohen rreth 800 mijë punonjës shtetërorë që kanë mbetur pa paga, pengesa për kthimin e draftit në ligj është Senati, që mbështet presidentin Trump në kërkesën për financimin e murit me Meksikën.

Dhoma e përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara votoi të premten një draft për të rihapur pjesërisht agjencitë federale të përfshira nga bllokada qeveritare, që ka në qendër murin e propozuar nga presidenti Trump në kufirin me Meksikën.

Pa harruar këtu faktin se paraliza që ka prekur vendin ka lënë pa rroga rreth 800 mijë punonjës qeveritarë, që nga tatimorët deri tek agjentët e FBI-së. Por pavarësisht nismës së demokratëve, rifillimi i plotë i operacioneve qeveritare në këto agjenci nuk duket në horizont.

Drafti duhet të kalojë në Senat, ku lideri i republikanëve Mitch McConell ka deklaruar se nuk do ta lejojë votimin e tij. Republikanët, të cilët kontrollojnë dhomën e sipërme të Kongresit, vazhdojnë të përkrahin idenë e Trump dhe insistojnë se drafti i demokratëve duhet të shoqërohet me financimin e murit prej 5,6 miliardë dollarësh.

Drafti i miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve me 240 vota pro përballë 179 kundër parashikon rifillimin e punës në Departamentin e Punëve të Brendshme dhe Agjencinë për Mbrojtjen e Ambientit, dy institucione që kanë mbetur pa fonde që prej 22 Dhjetorit.

Përballë perspektivës për t’u përballur me bllokadën më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara, presidenti Trump ka deklaruar se mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, që i mundëson atij të devijojë Kongresin dhe të sigurojë financimin për murin, që ishte premtimi kryesor i tij në fushatën elektorale./abcnews.al