SHBA: Deklaratat e Putinit për Perëndimin janë të papërgjegjshme

schedule15:35 - 26 Shtator, 2024

schedule 15:35 - 26 Shtator, 2024

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, kritikoi paralajmërimin e presidentit rus Vladimir Putin për Perëndimin për përdorimin e armëve bërthamore, duke e cilësuar të papërgjegjshëm

“Është krejtësisht e papërgjegjshme”, tha ai në një intervistë për MSNBC. “Unë mendoj se shumë në botë kanë folur qartë për këtë kur bëhet fjalë për kërcënimin bërthamor, duke përfshirë Kinën në të kaluarën.”

Kremlini tha sot se ndryshimi i Rusisë në doktrinën për përdorimin e armëve bërthamore duhet të shihet si një “mesazh” për vendet perëndimore, me të cilat tensionet janë përshkallëzuar që nga sulmi i shkurtit 2022 në Ukrainë.

Vladimir Putin paralajmëroi dje se vendi i tij mund të përdorë armë bërthamore në rast të sulmeve masive ajrore dhe se çdo sulm i nisur nga një vend jo-bërthamor, por i mbështetur nga një fuqi bërthamore, mund të konsiderohet si një sulm i përbashkët nga të dy.

Zhvillimi vjen ndërsa Ukraina ppo ërpiqet të bindë aleatët e saj që ta lejojnë atë të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi kundër tokës ruse, një perspektivë që tashmë ka bërë që zyrtarët rusë të kërcënojnë Perëndimin me sulme bërthamore.

Ndryshimi “duhet të konsiderohet një mesazh konkret”, tha zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov.

“Është një mesazh që paralajmëron këto vende për pasojat e pjesëmarrjes në një sulm kundër vendit tonë me mjete të ndryshme, jo domosdoshmërisht bërthamore”, shtoi ai.

Peskov po i përgjigjej një pyetjeje se si vendet “jomiqësore” duhet ta vlerësojnë këtë ndryshim, një term që përdoret shpesh për t’iu referuar vendeve perëndimore.

Putin i justifikoi ndryshimet e propozuara dje duke përmendur “kërcënimet dhe rreziqet e reja ushtarake për Rusinë dhe aleatët e saj”. Presidenti rus e bëri njoftimin gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit për parandalimin bërthamor. Miratimi i kësaj doktrine të re nuk u zyrtarizua.

Peskov deklaroi gjithashtu se takimi i djeshëm nuk kishte të bënte me zgjerimin e arsenalit bërthamor të Rusisë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!