Një stuhi e frikshme rëre ka përfshirë shtetin e Arizonës, duke futur qytetet në terr dhe duke shkaktuar një sërë dëmesh të konsiderueshme në infrastrukturë, si shkulje të çative të banesave dhe mungesë energjie.
Një stuhi rëre ka mbuluar qytetin e Feniksit, në Arizona, duke futur gjithë zonën në terr në mes të ditës. Stuhija e rërës është shoqëruar gjithashtu nga rrufe dhe bubullima, erëra të forta dhe shira të dendura që kanë detyruar avionët të qëndrojnë në tokë. Sipas mediave amerikane, aeroporti ndërkombëtar i Feniksit ka anuluar 12 fluturime dhe ka shtyrë shumë të tjerë teksa rëra avanconte. Ndërkohë, në disa rrethina të qytetit rreth 30 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike. Gjithashtu, autoritetet raportojnë për dëme të mëdha në banesat e qytetarëve, por edhe në pronat publike. Tërbimi i natyrës ka shkulur nga vendi çati shtëpish dhe makinash të parkuara. Shefi i stacionit meteorologjik ka deklaruar se stuhija mund të kthehet në më të madhen e sezonit. Në orët e fundit, stuhija ka lëvizur nga lindja në perëndim, ndërsa shirat janë dobësuar, edhe pse rrugët mbeten të bllokuara. Sipas ekspertëve të motit, erërat që kanë ngritur rërën kanë fryrë me një shpejtësi prej 50 milje në orë. Stuhitë e rërës janë të zakonshme në këtë periudhë në Arizona e që zgjasin nga mesi i qershorit deri në fund të shtatorit. /abcnews.al