SHBA, aleatët stërvitje kundër raketave; Koreja e Veriut paralajmëron për krizë sigurie

schedule19:15 - 18 Prill, 2023

schedule 19:15 - 18 Prill, 2023

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia bënë të hënën stërvitje të përbashkëta për mbrojtjen nga raketat, ndërkohë që Koreja e Veriut është duke shtuar arsenalin e saj bërthamor, dhe ndërsa një zyrtar i ushtrisë koraenoveriore paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se rrezikojnë të shkaktojnë “një krizë më të qartë sigurie dhe kërcënime të patejkalueshme”.

Javës së kaluar, Koreja e Veriut bëri një nga demonstrimet më provokative ndër vite të armatimit të saj, duke testuar për herë të parë një raketë balistike ndërkontinentale që funksionon me karburant të ngurtë. Kjo lloj rakete konsiderohet më e lehtë për t’u zhvendosur dhe më e vështirë për t’u pikasur, dhe mund të vendosë në objektiv drejtpërsëdrejti Shtetet e Bashkuara, shkruan VOA.

Marina e Koresë së Jugut tha të hënën se stërvitjet trepalëshe u zhvilluan në ujërat ndërkombëtare, pranë bregut lindor të vendit, dhe se u përqëndruan në ushtrimin e procedurave për pikasjen, gjurmimin dhe ndarjen e informacionit për raketat e Koresë së Veriut. Në stërvitjen njëditore merrnin pjesë nga një destrojer Aegis për çdo vend.

“Qëllimi i stërvitjeve është që të përmirësojmë aftësitë tona të reagimit kundër raketave balistike dhe të forcojmë aftësinë tonë për të kryer operacione të përbashkëta, ndërsa kërcënimet bërthamore dhe me raketa të Koresë së Veriut vazhdojnë të përshkallëzohen”, tha gjatë një seance informimi Jang Do-young, zëdhënës i marinës së Koresë së Jugut.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut nisën gjithashtu stërvitje të veçanta dypalëshe të hënën, me rreth 110 avionë luftarakë, ndër ta edhe avionë të avancuar luftarakë F-35. Stërvitjet do të vazhdojnë deri më 28 prill.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!