Shba/ 6 persona të vdekur nga shembja e mbikalimit

schedule13:16 - 16 Mars, 2018

schedule 13:16 - 16 Mars, 2018

Autoritetet e Floridës në Shtetet e Bashkuara te Amerikes saktësuan se 6 persona humbën jetën gjatë shembjes së një mbikalimi pranë një universiteti në Majemi. Gjithashtu mësohet se 8 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Të paktën 6 persona kanë humbur jetën për shkak të shembjes së një ure këmbësorësh në Majemi në afërsi të kampusit të Universitetit Ndërkombëtar të Floridas. Gjatë shembjes, mbikalimi ka zënë poshtë 8 makina, të cilat ishin të ndaluara në semaforin e kuq. Mësohet se 8 persona janë transportuar në spitalin më të afërt, ku po marrin trajtimin e nevojshëm. Gjithashtu duke konfirmuar bilancin, autoritetet njoftuan se ndërtimi i mbikalimit nuk kishte përfunduar ende.

“Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë tani është të lutemi për ata që përfunduan në spital, për shërimin e plotë të tyre dhe të lutemi për familjarët që humbën të dashurit e tyre”, u shpreh Guvernatori i Floridas, Rick Scott. Ai shtoi më tej se autoritetet do të bëjnë më të mirën e tyre për të zbuluar ndonjë keqfunksionim që çoi në shembjen e urës dhe nëse është kështu, ata persona do të mbajnë përgjegjësi.

Akoma nuk është e qartë pse mbikalimi, ndërtimi i të cilit nuk kishte përfunduar ende, u shemb në autostradë. Hetimet për këtë incident kanë nisur. Ura ishte e gjatë 53 metra, ka kushtuar 14.2 milionë dollarë dhe po ndërtohej për t’i rezistuar uraganëve të kategorisë 5 dhe do të zgjaste të paktën 100 vite. Por mbikalimi nuk ishte çertifikuar nga shteti i Floridas.

Për këtë çështje ka reaguar edhe presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka folur për një incident tragjik dhe ka falenderuar ekipet e shpëtimit për punën e tyre. Ndërkohë, mediat lokale raportojnë se ndërtimi i mbikalimit ishte vendosur pas vdekjes së një studenteje 18 vjeçare gushtin e kaluar, e cila ishte përplasur nga një automjet ndërsa po kalonte rrugën për të mbërritur në universitet./abcnews.al