SHBA 23 të vdekur nga uragani “Florence”, stuhia do të zgjasë edhe 2 ditë

schedule22:59 - 17 Shtator, 2018

schedule 22:59 - 17 Shtator, 2018

Vazhdon të rritet bilanci i viktimave të uraganit “Florens”, që vazhdon të godasë pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara që prej javës së kaluar. Deri tani llogariten të paktën 23 viktima, ndërkohë që ekipet e emergjencës kanë shpëtuar nga ujërat 400 vetë në qytetin Uilmington.

Ndërsa shirat dhe ujërat vazhdojnë të përmbysin Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara, numri i viktimave nga uragani “Florens” është rritur në 23, 17 prej të cilëve në Karolinën e Veriut. Guvernatori i këtij shteti, Roj Kuper ka deklaruar të hënën se “stuhia epike” përbën ende rrezik dhe ka saktësuar se lumenjtë kanë arritur nivelin më të madh të fryrjes. “Shumë zona të Karolinës së Veriut nuk i kanë përjetuar ende përmbytjet më të mëdha, ndaj dhe rreziku është ende i pranishëm. Për shtetin tonë kjo është një katastrofë epokale”, ka thënë guvernatori. Lokaliteti i Uilmingtonit është kthyer në ishull për shkak të përmbytjeve të furrishme dhe autoritetet kanë paralajmëruar banorët e evakuuar që të mos kthehen. Në qytetin me 120 mijë banorë, ekipet e emergjencës u kanë ardhur në ndihmë 400 personave që rrezikonin të humbnin jetën nga vërshimi i ujërave. Mbi 20 kamionë me ndihma kanë arritur të hyjnë të hënën në qytet, por zyrtarët lokalë dyshojnë se e vetmja rrugë që mund të përdoret nuk do të jetë e lirë për shumë kohë. Ndërkohë, Shërbimi Kombëtar Meteorologjik ka paralajmëruar se reshjet dhe përmbytjet do të vazhdojnë edhe për të paktën dy ditë, derisa kushtet e motit të përmirësohen. /abcnews.al