Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë Ukrainën të forcojë aftësitë e saj mbrojtëse, duke njoftuar një paketë sigurie prej 150 milionë dollarësh më pak se një javë përpara se Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Gjenevë.
Pentagoni njoftoi të premten paketën, pjesë e Iniciativës së Ndihmës së Sigurisë së Ukrainës të Uashingtonit, duke thënë se ishte në gjendje të vazhdonte me ndihmën pasi konfirmoi se Kievi ishte në përputhje me reformat e nevojshme.
Paketa përfshin radarë kundër artilerisë, sisteme kundër mjeteve fluturuese pa pilot, pajisje të komunikimit të sigurtë, pajisje të luftës elektronike dhe pajisje ushtarake të evakuimit mjekësor.
Paketa parashikon gjithashtu trajnime për të ndihmuar në përmirësimin e sigurisë dhe kapaciteteve në bazat e forcave ajrore ukrainase.
Ndihma, pjesë e 275 milionë dollarëve në mbështetje të Ukrainës, u miratua si pjesë e buxhetit të vitit fiskal 2021 të Pentagonit.
Paketa e ndihmës fillestare, e dërguar në mars, përfshinte anije patrullimi të armatosura, radarë kundër artilerisë dhe mbështetje për imazheri dhe analiza satelitore.