Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e dy kompanive që ishin në pronësi të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit për projektin e inceneratorit të Tiranës, impianti i mbetjeve tashmë administrohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme.
Këtë të enjte, në një prononcim për median administratori Arjan Baçi tha se puna do të vijojë normalisht. Sipas administratorit, bashkitë e qarkut të Tiranës rezultojnë prej 3 muajsh debitore dhe nëse nuk kryhen pagesat, kjo do të shkaktonte kaos për mbetjet urbane.
“Një nga problematikat është parë që bashkitë e tiranës janë debitorë në këtë kompani dhe jemi duke dërguar shkresa për ti vënë para përgjegjësisë, pasi moszbatimi i tyre do të sillte një kaos për mbetjet”.
Në Tiranë gjenerohen rreth 700 tonë mbetje në ditë dhe sipas kontratës mësohet se bashkitë paguan 29 euro për rreth 1 ton mbetje. Dy javë më parë parë, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestron preventive ndaj dy kompanive, njëra prej të cilave u shpall fituese në koncensionin e ndërtimit të inceneratorit të Tiranës dhe tjetra kompania që do bënte punimet, si dhe një pronë në Durrës me vlerë rreth 1 milionë euro.
Sipas SPAK, këto kompani janë emër të Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. SPAK theksonte më herët se është vërtetuar që Zoto e Mërtiri janë pronarët “de facto” të incenetarotit të Tiranës i cili ka fituar kontratën koncesionare të rehabilitimit të mbetjeve në kryeqytet me kosto mbi 128 milionë euro. Refereuar këtyre hetimeve, Zoto dhe Mërtiri i kanë marrë shtetit mbi 409 milionë lekë përmes faturave të falsifikuara dhe skemave të mashtrimit. Hetimet e SPAK janë fokusuar në veprat penale për mashtrim me pasoja të rënda, shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parashë, të kryera në bashkëpunim. r.t/abcnews.al