Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka dolën më të fortë se sulmet dhe kritikat, duke udhëhequr Zvicrën në një fitore të madhe në Ligën e Kombeve. Pavarësisht nga polemikat, Xhakës iu dha edhe shiriti i kapitenit.
Nuk ishte nga ndeshjet më të lehta për t’u përgatitur.
Zvicër-Islandë pati rrezikshmëri të lartë, sidomos në një stadium si ai i Sent Galenit, që i ka vërshëllyer lojtarët e kombëtares edhe për shkaqe shumë më të vogla.
Polemikat ishin të forta për deklaratën e Shaqirit se golin ndaj Serbisë e shënoi për njerëzit e malit, fjalët e fundit të përdorura në konotacion negativ.
Pati shumë ndjenjë ofendimi, dhe komente në media se malësorët zviceranë jetojnë shumë mirë, dhe se në Zvicër ka shumë më pak krime se në Ballkan, nënkupto në Kosovë.
Gjithsesi, Xherdan Shaqiri bëri një paraqitje kaq të madhe, saqë thuajse gjithçka u harrua.
Ai ishte lojtari më i mirë i ndeshjes, me dy gola, me asiste, dhe me lojë klasi, siç kishte kohë pa u parë.
Polemikat ishin të mëdha edhe për Granit Xhakën, sërish për shkak të shqiponjës.
Shqetësimi ishte i madh pasi Granitit pritej t’i jepej shiriti i kapitenit, diçka që ish-lojtarët e Zvicrës, Stefan Henshoz apo Kubilai Turkilmaz, theksuan se nuk duhej të ndodhte.
Gjithsesi, trajneri Vladimir Petkoviç bëri pikërisht këtë gjë, i dha Xhakës rolin e kapitenit.
Edhe shqiptaro-zvicerani tjetër ishte super, një komandant i vërtetë në mesin e fushës.
Pas ndeshjes, pati kërshëri për fjalët që do të thoshin shqiptaro-zviceranët.
“Unë e them përsëri se goli ishte për njerëzit e malit, – u shpreh Shaqiri, – goli ishte për minatorët apo ata që jetojnë në male. Sa për zhurmën për shqiponjën dhe Behramin, ajo ishte më shumë mediatik. Ne luajtëm mirë që nga fillimi deri në fund, dhe dominuam për 90 minuta, duke mos bërë gabime as në sulm dhe as në mbrojtje”.
Xhaka nuk deshi të vazhdonte polemikat për shqiponjën, ndërsa gjithçka është bërë e qartë që më parë.
“Ne nuk kishim asnjë pritshmëri tjetër, përveç atyre që kemi gjithnjë, – tha kapiteni, – Pak rëndësi kishte nëse luanim në Sent Galen, në Lucernë apo në Bazel, tifozët kanë qenë gjithnjë pranë nesh, pozitivë. Synimi ynë ishte të bënim një ndeshje të mirë dhe të merrnim 3 pikët”.
Gjithsesi, nuk shkëlqyen vetëm Shaqiri e Xhaka, por edhe dy lojtarë të tjerë me origjinë shqiptare.
Albian Ajeti e Admir Mehmedi hynë në pjesën e dytë, dhe gjetën gjithashtu rrugën e rrjetës.
Për Ajetin ishte debutimi në ekip, diçka që e festoi me gol pas vetëm 8 minutash.
Tashmë, derbi Zvicër-Shqipëri nuk është vetëm me vëllezërit Granit e Taulant Xhaka, por edhe me vëllezërit Albian e Arlind Ajeti.
Zvicra dhe qytetarët e saj të dyfishtë nuk mund të thuhet se kanë bërë paqe qind për qind, veçse interesi është mbi të gjitha.
Përderisa ata e ndihmojnë kombëtaren që të fitojë, do të jenë gjithnjë protagonistë./abcnews.al