Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, është i befasuar nga fiziku i Xherdan Shaqirit. Tekniku gjerman shprehet se shqiptari ka një fizik të veçantë dhe i vjen keq për dëmtimet e shumta që ai ka kaluar këtë sezon.
“Nuk është aspak mirë, por besoj se janë disa arsye për dëmtimet e tij. Shaqiri është një lojtar special dhe mund të luajë kudo. Në karrierën time nuk kam parë fizik si ai i Xherdanit, muskujt e tij janë të pabesueshëm. Më vjen keq për të se edhe ai është mërzitur, por duhet të gjejmë një zgjidhje”, deklaron Klopp.
Lojtari i kombëtares zvicerane numëron vetëm 3 paraqitje këtë sezon, ku duhet theksuar se ka kaluar shumë dëmtime. 28-vjeçari flitej se mund të transferohej te Roma apo Sevilla, por ishte trajneri Klopp ai që i hodhi poshtë këto zëra. Shaqiri me shumë mundësi nuk do të aktivizohet as në ndeshjen e së dielës kundër Shrewsbury Town, e vlefshme për raundin e katërt të FA Cup. /abcnews.al