Shano: Raporti i Ramës me ekonominë është i zhdrejtë! Kulluri: S’ka opozitë përballë

schedule21:48 - 10 Maj, 2021

schedule 21:48 - 10 Maj, 2021

Këtë të hënë në emisionin “Log.” me Endri Xhafon dhe me të ftuar zëvendësministrin e Infrastrukturës Etjen Xhafaj, analistin Mentor Nazarko, ekonomistin Dritan Shano si edhe ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Edvin Kulluri, u diskutua për fitoren e Partisë Socialiste, projektet, ekonominë dhe qeverinë Rama.

Për Dritan Shanon kryeministri Rama ka një raport të zhdrejtë me ekonominë, ndërsa theksoi se ekonomia shqiptare është më pak produktive dhe ka një borxh që sipas tij është tejet shqetësues.

“Rama ka një problem të madh. Raporti i Ramës më ekonominë është shumë i zhdrejtë. Ekonomia shqiptare është ekonomia më pak produktive, ka një borxh që është shumë shqetësues dhe ky nuk është një borxh për tu përshëndetur. Ne kemi një arsim që nuk prodhon, nuk i ofron Shqipërisë një të ardhme, nuk është kthyer në një burim ekonomik. Rama investon aty ku ekonomia shqiptare ka më pak nevojë”, tha Shano.

Ndërkohë zëvendësministri i Infrastrukturës, Etjen Xhafaj tha se investimet e huaja kanë pësuar rritje dhe se numri i vizitorëve në Shqipëri është dyfishuar.

“Në tre mujorin e parë  2014 stoku i përgjithshëm i investimeve të huaj ishte 4 miliardë e 9 milionë euro. Duke filluar nga qendrat urbane sektori më i madh ekonomik në botë ka qenë turizmi. Ndaj u investua në qendrat urbane, kemi dyfishuar numrin e vizitorëve. Sot ka më shumë rumunë dhe bullgarë që emigrojnë se sa ne shqiptarët”, tha Xhafaj.

Gjatë bisedës në studio me gazetarin Endri Xhafo, Edvin Kulluri u shpreh se tek partitë e mëdha, sot nuk reflektohet moral.

“Rama është në të drejtën e tij për të folur për 4-8-12 vite. Besoj që kjo është qrveria që ka punuar më pak për të punuar pushtetin. Do të thoja që këtu skandalet janë kthyer në rutinë. Në vendin tonë po humbet edhe vlera e fjalës. Shkaqet e rezultatit dihen. Projektet si Skavica janë investime që janë përtej Shqipërisë. I vetmi sukses që mund t’i quaj kësaj qeverie është investimi në qendrat urbane, pastaj se si janë krijuar fondet kjo mbetet për tu parë.

Tani mos i hyjmë aritmetikës, unë nuk jam  Luli. Ajo që dua të them është se komoditeti që ka Rama është përgjegjësi tek mandati i tretë. Por Rama mund të flasë edhe për të tjera mandate për sa kohë që ky tjetri flet pas Gament Bardhit. Ai nuk ka opozitë përballë”, tha Kulluri.

“Dora jonë është e shtrirë për bashkëpunim me opozitën”, kështu është shprehur më herët kryeministri Edi Rama, për të cilën analisti Mentor Nazarko tha se kryeministri duhet të tregojë nëse do t’ia arrijë të bëjë reformat themelore në vend, reforma në Arsim, tek pronat edhe reforma në Energji.

“Gjëja të cilën di të bëjë më mirë janë qendrat urbane. Ajo që unë pres është se a do të tregojë energji për ta rishpikur veten, për të bërë ato që janë reforma themelore, për Arsimin, pronën, Energjinë…”, tha më tej Nazarko.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!