“Shalqi me provë”, Basha i përgjigjet Ramës: Bën sharlatanin, s’kemi paraqitur plan elektoral

schedule12:49 - 30 Shtator, 2020

schedule 12:49 - 30 Shtator, 2020

Kryedemokrati Lulzim Basha i ka kthyer përgjigje kryeministrit Edi Rama pasi ai e quajti ditën e djeshme në një komunikim me gazetarët “shalqi me provë”, Basha tha se Rama po përpiqet të mbulojë të vërtetën duke përdorur një gjuhë vulgare ndërsa theksoi se plani i paraqitur nga PD nuk është plani elektoral, por një formë e paraqitur për të rimëkëmbur ekonominë në këto 6 muaj.

“Biznesi ndodhet nën presionin e krizës ekonomike. Këtë javë ne kemi shpalosur planin tonë për ekonominë në 5 drejtime kryesore. Një prej tyre është për biznesin që ka të bëjë me punësimin. Paratë që ata paguajnë si taksa shkojnë në çdo drejtim tjetër përveç kushteve të punës.

Një drejtim tjetër është rimarrja në punë e atyre që kanë humbur vendin e punës. Plani që kemi shpalosur këtë javë nuk është programi ynë elektoral. Është plani për këto 6 muaj sepse duam nuk duam ne drejtim e ka akoma një njeri që bën sharlatanin në ekrane me shpresa se duke përdorur batuta do mbulojë të vërtetën. Sado të shajë me gjuhë vulgare të vërtetën nuk e mbulon dot. Sipërmarrja shqiptare po vuan.

Plani ynë i rimëkëmbjes anti-COVID ndihmon çdokënd që po vuan sot më shumë se një vit më parë. Plani ynë synon të ndalë vjedhjet këto 6 muajt e fundit dhe t’i çojë paratë e shtetit aty ku kanë nevojë shqiptarët: 100 mijë të papunët, sipërmarrja që po vuan, në veçanti biznesi i vogël, çdo biznes, duhet të marrë një çek prej 1 mijë eurosh; sipërmarrja që rimerr në punë ata që kanë humbur vendin e punës, duhet që shteti t’i disbursojë me 200 mijë lekë të vjetra për person.; pensionistët duhet të marrin një çek prej 20 mijë lekë të vjetra në muaj për person, për të mbuluar shpenzimet shtesë të pandemisë dhe dyfishimin e ndihmës ekonomike.  Nuk ka më kohë për të humbur. Shqiptarët kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje”, tha Basha./mv. abcnews.al