Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë, Besa Shahini ka deklaruar se për herë të parë tashmë librat shkollorë nga Shqipëria do të përdoren edhe për shqiptarët në Serbi.
Shahini përmes një statusi në rrjetin social Facebook, bën me dije se se ka filluar tashmë edhe financimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore.
“Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi”, shprehet Shahini.
Ndër të tjera ajo thekson se fëmijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim.
Ndër të tjera, ministrja nënvizon faktin se komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij./abcnews.al