Lokomotiva e Moskës po kalon një formë shumë të mirë. Ekipi rus ka fituar tre transfertat e fundit mes kampionatit dhe Champions League. 0-1 përballë Sochi, 1-2 përballë Bayer Leverkusen dhe 2-3 kundër Orenburg.
Ekipi renditet në vend të pestë në kampionatin rus, ndërsa aventura në Champions ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse në fushën e blertë gjithçka po shkon vaj, këto ditë kanë qenë sfilitëse për tifozët e Lokomotivës.
Shtatori ka qenë tepër impenjativ për ta, të cilët e kanë ndjekur ekipin nga afër në këto 3 transferta. Nesër ekipi luan sërish jashtë, kësaj radhe për Kupën e Rusisë. Lokomotiva udhëton drejt Kaliningradit për t’u ndeshur me Baltikën.
4 transferta brenda 12 ditësh për një total të frikshëm prej 6618 km!!! Në transfertën e parë morën pjesë rreth 700 tifozë, ndërsa në Gjermani ekipi u ndoq nga 250 tifozë.
Vetëm 166 të tillë e mbështetën ekipin edhe në Rostoshi përballë Orenburg, ndërsa ekipi nuk do të jetë vetëm as në duelin e nesërm. Një rekord i tifozëve rusë, sakrifica e të cilëve është shpërblyer nga fitoret e ekipit. /abcnews.al